Kryeziu: Përplasjet Qeveri-Presidencë në disfavor të Kosovës

Ish- anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka komentuar përplasjet mes Presidencës dhe Qeverisë për mos anëtarësimin e Kosovës në KiE. I ftuar në `Prime` në RTK, Kryeziu tha se në një shtet demokratik pushtetet janë të ndara, por siç tha ai, ato duhet të bashkëpunojnë ngase rrugën e bashkëpunimit e trason Kushtetuta dhe Ligji.

Ndërkaq, kërkesën e ministress Donika Gërvalla drejtuar Këshillit të Evropës, Kryeziu e ka quajtur të gabuar, duke thënë se kjo letër ka rënë ndesh me zotimet e liderëve institucional.

Madje, sipas tij, kjo letër ka pasur edhe efekte negative për shtetin dhe shoqërinë kosovare.

“Këtë përplasje politike e shoh si disfavor për zhvillimine Kosovës dhe më tej. Përndryshe është një gabim i ministres së Punëve të Jashtme, e cila e ka bërë atë kërkesë në mënyrë të pakoordinuar. Kjo kërkesë ka qenë në një formë jo zyrtare dhe jo e përgatitur mirë dhe ka rënë ndesh me zotimin e tre liderëve institucional të Kosovës si presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari. Kështu që për mua ka qenë “non-sens” dhe e kam konsideruar të panevojshme dhe me efekte negative për shtetin dhe shoqërinë tonë kosovare”, tha Kryeziu.

Duke folur lidhur me draftin e Asociacionit, Kryeziu tha se Qeveria e ka për detyrë ta dërgojë këtë draft në Kushtetuese dhe se vonesat mund të kenë pasoja.

“Qeveria, respektivisht kryeministri ose ministri i Pushtetit Lokal e ka për detyrë me dërgu në Gjykatën Kushtetuese dhe e kryen obligimin e vet kushtetues, ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar. Sa më shumë që të vonohet është më keq për Kosovën. Pa marrë parasysh efektet e atij Asociacioni e kemi për detyrë dhe detyrat kombëtare, ndërkombëtare e ligjore e parlamentare Qeveria është e obligueshme me i ekzekutu”, u shpreh Kryeziu.

Go to TOP