Agresioni rus në Ukrainë ngadalëson eksportet gjermane

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka lënë gjurmë të mëdha edhe në eksportin gjerman. Bizneset me Rusinë janë zvogëluar dukshëm në muajin mars.

Në muajin e parë fillimit të agresionit rus në Ukrainë, eksportet gjermane kanë rënë më shumë se në fillim të krizës pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 dy vjet më parë. Në mars eksportet gjermane kanë rënë me 3.3 për qind në krahasim me muajin e kaluar dhe tani kanë një vlerë prej 120.6 miliardë euro, ka njoftuar Enti Federal i Statistikave.

Rënia e fundit më e madhe ka qenë në prill të vitit 2020, kur pandemia ngadalësoi tregtinë e jashtme. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kanë pritur një minus prej vetëm 2 për qind në muajin mars 2022, pasi në shkurt ka pasur një rritje sezonale të eksporteve prej 6.2 për qind. Nga ana tjetër, importet janë rritur me 3.4 për qind në muajin mars, pas rritjes prej 4.7 për qind në muajin shkurt.

Lufta në Ukrainë

“Rënia e eksporteve vjen edhe për shkak të luftës në Ukrainë. Të dhënat e marsit janë të parat ku shihen qartë pasojat e luftës”, tha kryeekonomisti në Hauck Aufhäuser Lampe Privatbank AG, Alexander Krüger.

“Nuk ka përmirësim të shpejtë. Eksportet gjermane rrezikojnë të dalin nga shinat e deritanishme të suksesit. Hapësira ndërkombëtare për eksporte nuk është e mirë. Vështirësitë në zinxhirin e furnizimit, inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit nuk u shkojnë në favor eksporteve”, është shprehur kryeekonomisti në VP Bank, Thomas Gitzel.

Biznesi amerikan po lulëzon, Kina po blen më pak

Eksportet gjermane në Rusi kanë rënë me 62.3 për qind dhe në mars kanë qenë vetëm 0.9 miliardë euro, për shkak të sanksioneve dhe masave të tjera që i kufizojnë eksportet. Nga ana tjetër, importet nga Rusia kanë rënë me vetëm 2.4 për qind dhe në mars kanë kapur shifrën prej 3.6 miliardë euro. Gjermania importon kryesisht naftë dhe gaz natyror nga Rusia.

Edhe eksportet gjermane drejt vendeve anëtare të BE-së janë zvogëluar me 1.7 për qind në mars. Nga ana tjetër, eksportet drejt klientit më të rëndësishëm, SHBA-së, janë rritur me 3.2 për qind, ndërsa ato drejt Kinës kanë rënë me 4.3 për qind. Eksportet gjermane në Kinë në mars kanë qenë në volumin rreth 9.1 miliardë euro.

Republika Popullore e Kinës po lufton aktualisht me një valë të re të COVID-19 dhe kjo ka penguar edhe raportet ekonomike me vendet e tjera, pra edhe tregtinë.

“Përhapja e COVID-19 në Kinë do të shkaktojë edhe në të ardhmen probleme në fushën e eksportit dhe importit”, tha Krüger.

Edhe biznesi me Britaninë e Madhe ka rënë me 3.9 përqind.

Vlera e eksporteve është dukshëm më e lartë se në mars 2021

Megjithatë, vlera totale e eksporteve në muajin mars ishte 120.6 miliardë euro. Kjo ishte 8.1 për qind më shumë se në mars të vitit të kaluar, kur shpërtheu pandemia. Edhe importet në Gjermani janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar: me 20.3 për qind dhe në mars kanë kapur shifrën prej 117.4 miliardë euro. Ndërsa krahasuar me muajin shkurt të këtij viti, importet janë rritur me 3.4 për qind.

Eksportet drejt vendeve të BE-së kanë rënë me 1.7 për qind – dhe kanë pasur një vlerë prej 66.6 miliardë euro. Ndërsa eksportet drejt vendeve të treta janë ulur me 5.1 për qind në 54 miliardë euro. Sipas informacioneve të ekspertëve, pjesa më e madhe e eksporteve të mallrave nga Gjermania ka shkuar në SHBA. Vlera e këtyre eksporteve ka qenë 11.5 miliardë euro në muajin mars.

Shumica e importeve në mars kanë ardhur nga Kina në Gjermani, me një vlerë prej 16.3 miliardë euro, që është gati 16 përqind më shumë se në shkurt. Ndërkohë që edhe importet nga vendet e treta janë rritur me 10.1 për qind – ato nga vendet e BE-së kanë rënë me 3 për qind.

Përmirësimi i klimës

Por sipas një sondazhi nga Instituti IFO, fryma në mesin e eksportuesve gjermanë është përmirësuar pak në prill, në dallim prej marsit kur kishte një rënie të dukshme.

“Pavarësisht nivelit të lartë të pasigurisë dhe problemeve logjistike, aktualisht ka shenja se klima e eksportit po stabilizohet”, tha presidenti i IFO-s, Clemens Fuest.

Ndaj shumë kompani presin një rritje të fitimeve nga eksporti.

Në anën tjetër, kryeekonomisti i ING-së, Carsten Brzeski është skeptik.

“Në përgjithësi, ekziston një rrezik i lartë që lufta do të përshpejtojë tendencën e deglobalizimit dhe do të shkaktojë rritjen e çmimeve të energjisë dhe lëndëve të para. Në këtë mënyrë, eksporti gjerman mund të ketë probleme edhe më të mëdha”, tha Brzeski. 

Go to TOP