Kodi i ri doganor dhe i akcizave hyn në fuqi më 26 maj 2024

Pas shpalljes në gazetën zyrtare, Kodi Doganor dhe i Akcizave (08/L-247), do të hyjë në fuqi më 26.05.2024.

Siç parashikojnë dispozitat kalimtare dhe përfundimtare, aktet nënligjore të parapara me këtë Kod do të miratohen brenda një (1) viti nga data e hyrjes në fuqi të tij. Deri në miratimin e këtyre akteve nënligjore, do të vazhdojnë të zbatohen aktet nënligjore ekzistuese, për aq kohë sa ato nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri. Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri, do të shfuqizohen:

  • Kodi nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë;
  • Ligji nr. 04/L-099 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë;
  • Çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri.

Ky ndryshim i rëndësishëm synon të modernizojë dhe përmirësojë sistemin doganor dhe të akcizave në Kosovë, duke ofruar një kornizë më të qartë dhe më të efektshme. Kodi i ri është hartuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të lehtësuar tregtinë, duke e bërë më të thjeshtë dhe më efikas procesin e doganimit për bizneset dhe individët.

Kodi i ri Doganor dhe i Akcizave

Kodi i ri doganor dhe i akcizave sjell disa ndryshime si në vijim:

  • Siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore në territorin doganor të Republikës se Kosovës, duke përshtatur zhvillimet e fundit në fushën e tregtisë dhe mjetet moderne të komunikimit, duke siguruar sistem plotësisht të automatizuar.
  • Operatorët ekonomik përfitojnë plotësisht nga teknologjia e informacionit, e cila do të mundësojë reduktimin e barrës dhe shpenzimeve dhe do të përmirësojë efektivitetin e kontrolleve doganore (krijimin e balancit ne mes kontrolleve dhe lehtësirave tregtare).
  • Janë përcaktuar kushtet dhe procedura me të cilën autorizohen agjentet doganor, provimi profesional dhe licencimi i agjentëve doganor organizohet nga Dogana.
  • Janë përcaktuar në mënyre strikte afatet ligjore për nxjerrën e vendimeve nga Dogana, çka i mundëson subjekteve siguri juridike.
  • Përforcon procedurat më të shpejta për operatorët ekonomik të autorizuar (AEO) me mundësi të njohjes reciproke ndërkombëtare të autorizimeve sipas parimit të proporcionalitetit.
  • Autorizimi për përdorimin e një garancioni gjithëpërfshirës për të gjitha procedurat doganore.
  • Ndryshime për rregullat për strehimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së strehimit nga 20 ditë deri në 90 ditë.
  • Obligimi për depozitimin e deklaratës përmbledhës për mallrat që sjellën apo dalin nga  territori doganor i RKS-së.
  • Zhdoganimi i mallrave me autorizim të DK-së në ambientet e importuesit dhe thjeshtësimet tjera për operatoret ekonomik si zhdoganimi qëndror, evidentimi në regjistrat e deklaruesit dhe vetëvlerësimi.
  • Procedurat e posaçme (PP ish PMNE) kanë pësuar ndryshime;
  • tek magazinat doganore kemi vetëm dy lloje (publike dhe private). /Kosova.info/
Go to TOP