Ferizaj me spital të ri
Fillimi i punës së ndërtimit të spitalit të Ferizajt ka marrë dritën e gjelbër të Ministrisë së Shëndetësisë, me nënshkrimin e kontratës së re për vazhdimin e punimeve.
Ministri i dikasterit të Shëndetësisë ka theksuar se punimet do të realizohen sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore, duke kapur një kosto prej 24 milionë eurosh.
Objekti në fjalë pritet të ofrojë shërbime të shumta, duke i përmbushur nevojat e banorëve të komunës dhe jo vetëm.
“Lajmi për fillimin e punimeve në Spitalin e Ri të Ferizajt është njëri prej lajmeve që kemi marrë deri tash. Me Spitalin e ri ne mendojmë se do të ofrojmë shërbime shumë më të mira për pacientët dhe po ashtu puna e stafit mjekësor do të jetë shumë më e lehtë, sepse në këto kushte që ne sot punojmë është jashtëzakonisht e vështirë t’i realizojmë të gjitha këto shërbime të cilat i kemi për qytetarët. Dhe qytetarët e meritojnë shërbimin më të mirë prej nesh. Prandaj ne jemi shumë të gëzuar për këtë fillim të punimeve në Spitalin e Ri”, tha Minire Alilaj Beqiraj, U.D. e Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt.
Ndërtimi i Spitalit të Ri në Ferizaj, me kontratën e re, pritet të finalizohet brenda 30 muajsh.
