Shqetësime për retorikën dhe veprimet e Serbisë

Retorika dhe veprimet e fundit të udhëheqjes në Serbia, nën drejtimin e Vuçiqit, kanë ngritur shqetësime serioze në rajon.

Blerja e sistemeve të avancuara ushtarake nga Kina  përfshirë raketa balistike supersonike  nuk është thjesht një çështje modernizimi ushtarak, ajo shihet si një mesazh presioni ndaj fqinjëve dhe si një përpjekje për të ndryshuar balancën e sigurisë në Ballkan.

Kjo qasje bëhet edhe më problematike kur përdoret si justifikim për të krijuar narrativa kërcënuese ndaj bashkëpunimit rajonal.

Referimi i vazhdueshëm ndaj bashkëpunimit trilateral mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë si arsye për armatim të rëndë, është një përpjekje për të shtrembëruar realitetin.

Kështu vlerësojnë në Instituti Octopus.

“Militarizimi i Serbisë ka kohë që ka filluar si proces në kuadër të rreshtimin të saj gjeopolitikë me Rusinë dhe në përgjithësi me boshtin revizionist ruso-kinez dhe përbën kërcënimin më të madh për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, në përputhje edhe me raportet ndërkombëtare sa i përket identifikimit të potencialit të saj kërcënues për stabilitetin”, tha  Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”

Dorajet Imeri, profesor i gjeopolitikës, thotë se Serbia vepron sipas strategjisë së saj për të qëndruar faktor kryesor destabilizues në rajon. Kjo narrativë synon të krijojë frikë dhe pasiguri në opinionin e brendshëm, duke justifikuar veprimet e jashtme që nuk e trajtojnë seriozisht rrethanën dhe qasjen serbe.

“Në fakt Serbia nuk po e sfidon vetëm rajonin tonë, por po sfidon drejtpërsëdrejti  sigurinë dhe strukturën të vetë NATO-s, sepse ajo po e blenë këtë armatim për t;i kundërvënë në çdo rast , për t’i kërcënuar në cdo rast ose vendet anëtare të NATO-s ose vendet që kanë aspirata për të qenë në NATO:, tha Imeri.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në vazhdimësi ka deklaruar se armatosja e Serbisë e në veçanti nga Kina, shpërfaqë tendencën hegjemoniste të Beogradit në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne e dimë në raport me politikën serbe, institucionet e sigurisë në serbi, politika e sulmeve kundër fqinjëve, politika e gjenocidit ka qenë dhe mbetet thellë pjesë përbërëse e mund të themi politikës së përgjithshme në Serbi”, kishte thënë ministri.

Në këtë kontekst, edhe të dhënat nga Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Studimet e Paqes tregojnë se shpenzimet ushtarake në gjithë Ballkanin Perëndimor janë rritur. E që këto të dhëna tregojnë se Serbia është importuesja numër 1 e sistemeve kryesore të armëve në rajon.


Go to TOP