Për t’u bërë mjek i QKUK-së, a duhet të përfundohet edhe shkolla e karatesë apo e boksit?
Shkruan: Lekë MRIJAJ
Siç dihet ngjarja e ndodhur mes dy kirurgëve në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK në Prishtinë e cila ngjarje i ka lënë shumë qytetarë të habitur dhe të zhgënjyer. Sipas raportimeve në media, gjithçka nisi me një përplasje verbale dhe përfundoi me grushte e shqelma. Një skenë e tillë nuk përputhet me Betimin e Hipokratit dhe as me figurën që shoqëria ka për mjekun.
Spitali dhe njësitë ambulatore janë vende shprese. Aty njerëzit shkojnë me besim, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët. Prindërit ua dorëzojnë jetën e më të dashurve të tyre mjekëve, duke besuar në profesionalizmin dhe qetësinë e tyre. Kur brenda këtyre mureve ndodh dhunë, lëkundet besimi. Lind pyetja e natyrshme: nëse mjekët nuk arrijnë të ruajnë qetësinë mes tyre, si do ta ruajnë atë në momentet vendimtare për pacientët?
Askush nuk e mohon se profesioni i mjekut është ndër më të vështirët. Orë të gjata pune, ngarkesë emocionale, përgjegjësi e jashtëzakonshme, ndonjëherë edhe mungesë vlerësimi apo shpërblimi të drejtë – të gjitha këto krijojnë stres. Por pikërisht për këtë arsye, mjeku duhet të jetë shembull vetëkontrolli. Forca e tij e vërtetë nuk matet me muskuj, por me qetësi, maturi dhe durim.
Debatet janë pjesë e jetës profesionale. Mendimet e ndryshme mund të çojnë në diskutime të forta. Por kur fjala kthehet në dhunë fizike, kemi kaluar një vijë të rrezikshme. Dhuna nuk është zgjidhje; ajo është dështim i komunikimit dhe i etikës.
Kjo ngjarje duhet të shërbejë si reflektim për të gjithë sistemin shëndetësor. Mjekësia nuk është vetëm shkencë; është edhe mision. Uniforma e bardhë është simbol pastërtie, përgjegjësie dhe shërbimi. Ajo kërkon sjellje të denjë në çdo rrethanë.
Në fund të fundit, për t’u bërë mjek nuk kërkohet shkolla e karatesë apo e boksit. Kërkohet shkollë profesionale, edukatë, kulturë komunikimi dhe karakter i fortë moral. Sepse më e fuqishme se çdo grusht është fjala e matur dhe zemra e qetë.
O tempora, o mores!
