Jemi kritikë, prandaj ekzistojmë
Shkruan: Pal SHTUFI
Hapur shihet se ekziston një qetë kritikësh, të cilët nuk e ndalin kritikën për asnjë dukuri, asnjë fe dhe asnjë gomarllëk politik.
Me pietet përkulem para punës së tyre dhe, nëse jam pjesë e kësaj qete, atëherë ndihem thellësisht i lumtur, sepse ky fakt ma sqaron tërësisht arsyen e të ekzistuarit si intelektual.
Ekziston edhe një qetë shumë e madhe “intelektualësh”, të cilët i kanë veshët në lesh dhe janë të lumtur brenda guaskës së tyre. I kuptoj deri diku, por epitetin “intelektual” nuk e gëzojnë, sepse përkufizimi bazë i intelektualit nuk flet për ta…
Kemi edhe një qetë laramanësh, të cilët jo rrallë sulmojnë qetën e parë pse kritikon manitë, shkeljet kushtetuese, fanatizmat fetarë, halldupët politikë, gënjeshtrat pas flamujve të nacionalizmit e çka jo tjetër. Këtë soj e i falim, sepse ende nuk kanë mësuar asgjë nga jeta.
KUR VDES INTELEKTUALI?
Intelektuali vdes atë ditë kur e mbyll gojën dhe shikon vetëm punën e vet.
Nga Mustafa Kemal Atatürk e deri në ditët e sotme, intelektualët turq kanë qenë ora e zgjuar e trashëgimisë laike që krijoi Kemali i artë. Ata kujdestarojnë me tërë fuqinë e tyre shoqërinë turke, duke goditur çdo shkelje të laicizmit dhe duke kundërshtuar çdo prirje të kulturës arabe mesjetare që ka tentuar të depërtojë në kulturën dhe vetëdijen e turqve. Të njëjtën gjë e kanë bërë me zell edhe kundër anomalive dhe fenomeneve tjera të shëmtuara në shoqërinë turke – pa u ndalur kurrë.
Pikërisht falë kësaj qete intelektualësh turq (1923–2026), sot Turqia është ndër shtetet më të zhvilluara në rajon, më e avancuar se shumica e vendeve të Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme – në shumë fusha dhe drejtime.
Prandaj, ne që kritikojmë shkelësit e çdo norme të shtetit laik, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, nuk e kemi ndërmend të ndalemi, sepse nuk duam të vdesim për së gjalli.
