Kuvendi miraton 18.6 milionë euro për forcimin e shëndetësisë
Forcimi i shëndetësisë do të mundësohet përmes kredisë në vlerë prej 18.6 milionë euro në kuadër të marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas”, e cila u miratua në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
103 deputetë votuan për, teksa ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se kjo kredi ka afat financimi prej 30 vjetësh dhe se do të mundësojë forcimin e kapaciteteve shëndetësore dhe zhvillimin e sistemit informativ.
Miratohet kredia prej 629 milionë euro nga BE për Kosovën
Një kredi prej 629 milionë euro Kosova do t’i marrë nga Komisioni Evropian, si përkrahje ndaj Ballkanit Perëndimor për reforma dhe rritje.
Deputetët e miratuan edhe marrëveshjen e kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” me 98 vota pro, asnjë kundër dhe katër abstenime.
“Në kuadër të reformave janë ato për administratë publike, menaxhimin e financave publike, digjitalizimin e shërbimeve, infrastruktura, politikat dekabornizimit, efiçienca e energjisë, arsimi, tregu i punës dhe sundimi i ligjit. Ndërkaq vlera totale e kredisë është 629 milionë euro, ku 34.75% e disbursimit do të transferohet në kornizën e Ballkanit Perëndimor ndërkaq pjesa tjetër si mbështetje buxhetore”, shpjegoi ministri i Financave, Hekuran Murati.
