IKShPK: Uji nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03, e cila furnizohet nga Ujësjellësi i Badocit, është vërejtur një ulje e dukshme e vlerave të turbullirës.

Sipas IKShPK-së, analizat laboratorike të realizuara gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e këtij institucioni tregojnë se vlerat e turbullirës, si dhe të gjithë parametrat e tjerë bakterio­logjikë dhe fiziko-kimikë, janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 – “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.

Bazuar në këto rezultate laboratorike dhe në përputhje të plotë me UA 10/2021, IKShPK bën të ditur se uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije.

Instituti thekson se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit duke garantuar transparencë të plotë dhe informim të saktë e në kohë për qytetarët. /Kosova.info/

Go to TOP