Ahmeti tregon pse nuk u arrit koalicion me Nismën?
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, udhëheqja e partisë ka diskutuar përbërjen finale të listës zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, konfirmoi se Këshilli i ka dhënë kryetarit Lumir Abdixhiku autorizimin që të vazhdojë negociatat me subjekte të tjera politike, por vetëm për përfshirjen e individëve të caktuar brenda listës së LDK-së.
Ahmeti bëri të ditur se, megjithëse kanë ekzistuar negociata me Nismën Socialdemokrate, nuk është arritur ndonjë marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që Fatmir Limaj ose figura të tjera të kësaj partie të mund të përfshihen në listën e kandidatëve të LDK-së, nëse arrihet dakordim brenda afatit të brendshëm të partisë.
“Natyrisht që ka pasur negociata, dhe struktura e partisë ka pasur impakt të madh në vendimmarrje. Këshilli i Përgjithshëm i dha autorizim kryetarit Abdixhiku që të vazhdojë negocimin për hyrje brenda listës për deputetë. LDK është e vendosur të shkojë në garë pa koalicione, por brenda listës mund të ketë edhe emra të tjerë”, tha Ahmeti pas mbledhjes.
Ai nënvizoi se afati ligjor për koalicione parazgjedhore ka përfunduar mbrëmë, prandaj LDK do të garojë e vetme duke ruajtur, siç u shpreh ai, qëndrimet dhe prioritetet politike të partisë. /Kosova.info/
