Behrami: Dorëheqja e Krasniqit, akt përgjegjësie dhe kulturë politike
Artan Behrami, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në RTK ka diskutuar për dorëheqjen e Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të kësaj partie, për procesin e votimit në Mitrovicën e Jugut dhe për çështje të tjera.
Dorëheqja e Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të PDK-së, ende pa u certifikuar zgjedhjet komunale, sipas Behramit, është pritur me ndjenja të përziera. Ai tha se Krasniqi e ka udhëhequr PDK-në tash e katër vjet në sfida jo të lehta, në rrethanat në të cilën gjendemi edhe si parti, edhe si vend.
Sipas tij, dhimbjen për mungesën e dy liderëve të PDK-së, Thaçi e Veseli, Krasniqi ka arritur ta shndërrojë në forcë.
Ai nënvizoi se vendimi i Krasniqit për dorëheqje nga PDK është respektuar.
“Krasniqi ka kallëzuar kulturë politike, që tashmë është etabluar në PDK dhe partia jonë po sjellë dy modele që shërbejnë si frymëzim edhe për parti të tjera politike”, tha Behrami, në RTKPrime.
Behrami mohoi idenë se shkaku i dorëheqjes së Krasniqit nga posti i kryetarit ka ardhur si pasojë e humbjes në Drenas dhe në Mitrovicë të Jugut.
Ai bëri të ditur se Krasniqi mbështet Bedri Hamzën për kryetar të PDK-së. Sipas Behramit rrjedha logjike e ngjarjeve të çon në këtë pikë.
“Praktika perëndimore dha ajo në Evropë, ka dëshmuar se ilaçi më i mirë kundër populizmit është kompetenca. Dhe nëse ka një njeri kompetent në Kosovë, që ka trashëgimi në shtet-ndërtim, në forcim të shtetit.. në zhvillimin ekonomik të Kosovës, është Bedri Hamza”, tha Behrami.
Tutje, Behrami përmendi konventën e PDK-së, që sipas tij do të bashkohen të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie, përmes të cilës, sikundër tha ai, do të krijohet një front i ri ku do të sjellë fitoren e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
