Obërtinca u drejtohet Kurtit, Krasniqit e Abdixhikut: Kosova ka nevojë për veprim, jo për pritje
Profesori i njohur Shyqëri Obërtinca, përmes një letre të hapur drejtuar tre liderëve kryesorë politikë – Albin Kurtit, Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut – ka shprehur shqetësimin e tij për bllokimin institucional dhe vonesat në formimin e Qeverisë së re të Kosovës, edhe pas dhjetë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.
Në letrën e tij, Obërtinca u kujton krerëve të partive politike se Kosova po kalon në një periudhë të ndjeshme dhe kërkon “përgjegjësi, urtësi dhe bashkëpunim politik”, duke i ftuar ata të lënë mënjanë “grindjet e panevojshme, interesat personale e partiake dhe ndarjet ideologjike”, për t’u bashkuar rreth interesit kombëtar dhe të qytetarëve.
“Situata aktuale politike kërkon unitet të të gjithë liderëve dhe partive politike përballë sfidave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare. Ju mbani përgjegjësinë kryesore dhe duhet të veproni me mençuri, urtësi dhe ndjenjë urgjence”, thekson Obërtinca.
Ai u bën thirrje Kurtit, Krasniqit dhe Abdixhikut që, duke shfrytëzuar autoritetin e tyre, të arrijnë një marrëveshje kompromisi për formimin e institucioneve shtetërore, për të respektuar vullnetin e qytetarëve dhe për të shmangur krizën e zgjatur politike.
“Ju bëj thirrje që të veproni sa më shpejt që të jetë e mundur, për të mirën e këtij vendi dhe për respekt ndaj votës së qytetarëve”, shkruan ai, duke shtuar se nëse kjo nuk arrihet, atëherë liderët duhet “të dorëhiqen dhe të hapin rrugë politikanëve të tjerë që dinë, duan dhe mund të ndërtojnë marrëveshje bashkëpunimi për formimin e institucioneve të vendit.”
Letra mbyllet me një mesazh të fuqishëm: “Kosova ka nevojë për veprim, jo për pritje. Ka nevojë për unitet, jo për ndasi. Ka nevojë për shtetbërës, jo për kalkulues politikë”. /Kosova.info/
