KQZ certifikon rezultatet përfundimtare edhe për tri komuna-përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve përfundojnë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të komunave të Prishtinës, Mamushës dhe Junikut.
Ky vendim vjen pas konfirmimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna.
Rezultatet përfundimtare mund të shihen në uebfaqen zyrtare të KQZ-së: https://kqz-ks.org/rezultatet/zgjedhjet-per-kryetare-te-komunave/
Në vazhdim të mbledhjes, u prezantua raporti për fazën përfundimtare të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Sipas njoftimit të KQZ-së, është përfunduar edhe shpërndarja e materialit zgjedhor, proces që është zhvilluar në disa faza.
Më 5 dhe 6 nëntor, në Qendrat Komunale të Numërimit janë shpërndarë kutitë e votimit, kabinat dhe materialet administrative, ndërsa më 8 nëntor, nën përcjellje të Policisë së Kosovës, janë shpërndarë materialet e tjera zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, listat votuese, ngjyrën matrikulare dhe vulat zyrtare.
KQZ theksoi se të gjitha përgatitjet po zhvillohen sipas planit për të siguruar një proces zgjedhor të rregullt, transparent dhe të sigurt më 9 nëntor. /Kosova.info/
