Kushtetuesja rrëzon dekretin, Veliaj mbetet kryebashkiak

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë doli sot me një vendim për çështjen e Erion Veliajt, duke i dhënë të drejtë të vijojë detyrën si kryetar i bashkisë së Tiranës.

Sipas medieve, gjykatësit kushtetues kanë vendosur 5 me 3 në favor të tij.

Në këtë mënyrë rrëzohet vendimi i qeverisë që e shkarkonte nga posti pas propozimit që i kishte bërë këshilli bashkiak i Tiranës.

Dhënia e këtij vendimi do të thotë po ashtu se në kryeqytet nuk do të zhvillohen zgjedhje, duke e bërë edhe dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj të pavlefshëm.

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn me 50 vota pro, pas propozimit të këshillit bashkiak duke u mbështetur në ligjin për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë.

Më 1 tetor, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, i cili me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese u pezullua deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.

Më 31 tetor, në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca për shqyrtim e ankimimit të tij.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”.

Veliaj akuzohet në 9 raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.


Go to TOP