Zogaj: Hipokrizia e VV-së s’ka kufi – LDK është shtëpi e madhe e njerëzve të përgjegjshëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të Vetëvendosjes (VV) dhe mbështetësve të saj lidhur me bashkëpunimet politike të LDK-së në prag të balotazheve komunale. Ai e ka cilësuar qëndrimin e VV-së si hipokrizi pa kufij duke theksuar se shumë parti të tjera janë rreshtuar përkrah kandidatëve të LDK-së për shkak të besimit në seriozitetin dhe rezultatin e kësaj partie.

“Shumë prej partive politike janë rreshtuar përkrah kandidatëve tanë në balotazh, sepse besojnë në LDK-në, sepse duan të bashkëpunojnë me një parti serioze, institucionale dhe me rezultate konkrete. Por VV dhe vuvuzelat e saj po na kritikojnë për këtë? Çfarë ironie, ata vetë bëjnë marrëveshje në të majtë e në të djathtë, ndërsa ne s’qenka mirë të bëjmë marrëveshje!,” ka deklaruar Zogaj.

Ai shtoi se LDK mbetet shtëpi e madhe politike, ku bashkohen njerëz të përgjegjshëm që duan zhvillim e jo përçarje duke përmbyllur reagimin e tij me një mesazh mobilizues: “LDK është shtëpi e madhe, parti ku bashkohen njerëzit e përgjegjshëm që duan zhvillim, e jo përçarje. Shihemi në fitore!”. /Kosova.info/


Go to TOP