Nimani: Pezullimi i dialogut nga SHBA alarm kombëtar, unitet dhe përgjegjësi për Kosovën
Profesor universitar dhe aktivist i Nismës Socialdemokrate, Artan Nimani, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën duke e quajtur situatën “alarm kombëtar”.
Nimani thekson se ky nuk është faj i Amerikës, por i Qeverisë Kurti, që sipas tij, rrezikoi partneritetin më të madh të Kosovës. Ai thekson rëndësinë jetike të këtij partneriteti duke e quajtur atë “oksigjen për shtetin tonë”, përmes të cilit SHBA ka qenë pranë Kosovës në luftë, çlirim, shpalljen e pavarësisë dhe mbrojtjen e sigurisë.
Ai i bëri thirrje qytetarëve për unitet dhe përgjegjësi kombëtare: “Asnjë individ, asnjë qeveri nuk ka të drejtë ta prishë aleancën që është themeli i lirisë sonë. Duhet ta themi qartë, nuk jemi me ata që e dëmtojnë Kosovën, jemi me Amerikën, me aleatët tanë, me të ardhmen tonë.”
Sipas Nimanit, aleanca me SHBA është themeli i lirisë së Kosovës dhe çdo veprim që e cenon këtë partneritet është një dëm për të ardhmen e vendit dhe gjithë kombin shqiptar. /Kosova.info/
