Luma: Ramiz Lladrovci ishte pjesë e themelimit dhe bërthamës së parë të PDK-së

Gazetari Ernest Luma ka rikujtuar rolin e hershëm të Ramiz Lladrovcit në themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) duke theksuar se ai ishte një nga figurat kyçe në strukturën fillestare të kësaj force politike.

Sipas Lumës, PDK-ja u themelua më 10 tetor 1999, fillimisht me emrin Partia e Bashkimit Demokratik (PBD). Ndër themeluesit dhe në përbërjen e Kryesisë së parë të saj ishin emra të njohur të luftës së UÇK-së, veprimtarë të hershëm dhe ish-të burgosur politikë, përfshirë Ramiz Lladrovcin dhe prof. Muhamet Rogovën.

Kryetar i parë i partisë ishte Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik dhe diplomatik i UÇK-së, i cili udhëhoqi PDK-në deri në mbajtjen e kuvendit të saj të radhës në vitin 2000.

“Ramizi, veç tjerash, është edhe pjesë e hapave të parë dhe bërthamës së PDK-së,” thekson gazetari Ernest Luma duke vënë në pah rolin themelor të tij në konsolidimin e partisë në periudhën pasluftës. /Kosova.info/


Go to TOP