Hajdari: Është momenti që t’i jepet epilog konstituivit të Kuvendit

Fatime Hajdari, njohëse e zhvillimeve politike në ”InfoPlus” në RTK ka folur për situatën politike në vend, përkatësisht për dështimin e konstituivit të Kuvendit. Ajo ka shprehur shpresën e gjetjes së një zgjidhje brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, deri në fund të këtij muaji, më saktësisht, 26 korrik. Ajo tha se është momenti që t’i jepet epilog kësaj çështjeje, sepse, sipas saj, vërehet një lodhje edhe nga vetë qytetarët nga papërgjegjësia e deputetëve.

Ajo, më tej, foli për aktgjykimin e Kushtetueses, për të cilin tha se aty nuk specifikohet se çfarë do të mund të ndodhë pas afatit 30-ditësh, teksa vuri në pah komentet nga partitë parlamentare, sipas vullnetit të tyre politik.

“Është momenti që t’i jepet epilog kësaj çështjeje, sepse vërehet një lodhje edhe nga vetë qytetarët nga papërgjegjësitë e deputetëve”, tha Hajdari.

Lidhur me ndryshimin e procedurës së votimit, nga ai i hapur në votim të fshehtë, Hajdari konsideroi se ka qenë një tentim për të dalë nga situata që ishin futur, ngase dihej se nuk i kishin votat për kryetaren e Kuvendit, sepse, sipas saj, ka pasur deputetë nga partitë tjera që kanë qenë të gatshëm për ta votuar deputeten Haxhiu për kryetare të Kuvendit.

Ndërkaq për dërgimin e lëndëve të reja në Gjykatë Kushtetuese nga PDK e LDK, për procedurat e ndjekura në Kuvend, Hajdari e vlerësoi si pozitive këtë hap, sepse, siç u shpreh ajo, është mirë që Gjykata Kushtetues ta sqarojë mënyrën e procedimit të votimit, nga votimi i hapur në votim të fshehtë.

“Megjithatë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk është dashur të kemi kaq shumë dramë e polemika, sepse i takon partisë së parë të propozojë për këtë funksion. Por opozita do të duhej të barrikadohej në formimin e Qeverisë Kurti 3”, tha Hajdari.

Go to TOP