A na qortoi edhe neve Arianit Koci me gomarët e tij?

Shkruan: Enis REÇICA

Kuvendi i Kosovës tashmë ka hyrë në rekord të ri të absurdes politike. Një ngërç institucional që nuk po lëviz, por që duket se nuk shqetëson askënd. Qytetarët heshtin e politikanët e marrin rrogën.

Në këtë atmosferë të përgjumur, Arianit Koci ka vendosur të mos heshtë. Me një protestë sa simbolike aq edhe therëse, ai dje u shfaq para Kuvendit jo vetëm me fjalë, por me… gomarë. Po, me kafshët më të urta e njëkohësisht më të përdorura në metaforat e jetës politike shqiptare.

Gomarët e Kocit nuk ishin rastësi. Ata ishin simbol. Ai u doli përpara deputetëve me to, si për të thënë: “Nëse nuk jeni të aftë ta çoni përpara Kuvendin, ja ku i keni pasuesit tuaj të denjë”. Ishte një sarkazëm e pastër, por edhe një shuplakë për qytetarët që heshtin, sepse gomari nuk është vetëm metaforë për politikanin kokëfortë, por edhe për popullin që pranon të mbajë barrën pa protestuar.

Në këtë skenë politike, qytetari dhe gomari duken si të njëjtë (me keqardhje): të dy mbajnë peshën, nuk ankohen! Veçse njëri ka katër këmbë dhe tjetri mendjen dhe të drejtën e votës. Kurse politikanët, rrinë në ngërç, duke e bërë Kuvendin një stallë që s’merr vesh as kush është bari e as kush është gomar.

Në vend të revoltës, ka durim. Në vend të protestës, ka heshtje.

Mbase, me protestën e tij, Koci nuk deshi vetëm të fyejë politikën, ai ndoshta deshi të zgjojë qytetarin. Sepse kur politika i përngjan një kafshe që ecën pa ditur ku shkon, është koha që dikush të kapë frerët – ose të paktën të pyesë: kush është vërtet gomari në këtë histori?


Go to TOP