Osmani: Votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, por kërkon konsensus

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar situatën e bllokadës për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se votimi i fshehtë është i mundur nëse arrihet konsensus ndërmjet deputetëve për këtë formë të votimit.

“Konstatimi i ekipit tim ligjor, me të cilin unë pajtohem, është që në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi, votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi. Megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë”, deklaroi Osmani, pas ceremonisë së betimit të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Tutje e para e shtetit paralajmëroi pasoja juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve, siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

“Do të ketë pasoja juridike. Nuk mund të presim që gjykata të thotë: mirë, pas 30 ditësh vazhdoni njësoj, takohuni çdo dy ditë dhe mos bëni asgjë. Nuk pres që do të ketë diçka të tillë. Planifikoj që në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt, që t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim në lidhje me atë se çfarë ndodh pas 30 ditësh, sepse duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit pas 30 ditësh”, shtoi Osmani.

Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, Osmani ka zhvilluar takime konsultative të mërkurën dhe të enjten me liderët e partive politike Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK), Ramush Haradinaj (AAK) dhe atyre të nga komunitetet joshumicë.

Ajo tha se megjithëse qëndrimet e partive mbeten “diametralisht të kundërta”, kjo nuk e përjashton mundësinë e afrimeve të reja gjatë ditëve në vijim.

“Mendoj që bllokada tani te lloji i votimit është vërtetë shumë shumë joracionale”, theksoi presidentja, teksa u bëri thirrje liderëve të partive që të gjejnë një zgjidhje deri në fund të muajit korrik, për të mundësuar konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka vendosur datën 26 korrik si afatin e fundit për përmbylljen e këtij procesi.


Go to TOP