U hap ekspozita e artistit nga Gaza “Fragmentet e mbijetesës”

Në galerinë ‘Reporting House’ në Prishtinë u hap ekspozita personale “Fragmentet e mbijetesës” e artistit nga Gaza, Hussein al-Jerjawi.

Kuratori i ekspozitës, Gazmend Ejupi, prezantoi veprat e këtij artisti 18-vjeçar, i cili është detyruar pesë herë të zhvendoset si pasojë e luftës së nxitur nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023.

Pikturat e al-Jerjawi janë realizuar në një medium të pazakontë, mbi thasët e miellit të ndihmave humanitare, duke shfaqur simbolika të fuqishme të mbijetesës dhe vuajtjes në një territor të rrethuar nga lufta dhe mungesa e materialeve. Artistit i është dashur të përdorë këto materiale për shkak të kushteve ekstreme në Gaza.

“Kur pikturoj mbi thasët e miellit, ndihem sikur shkruaj historinë tonë me penel të zhytur në vuajtje dhe qëndresë. Përdorimi i thasëve të ndihmave është reagim i natyrshëm ndaj mungesës së materialeve të zakonshme artistike në Gaza”, citohet al-Jerjawi në komunikatën e “Reporting House”. 

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi dhe personalitete tjera.

Go to TOP