Hetemi e Tahiri flasin për rëndësinë e përballjes me plagët e së kaluarës
Rëndësia e adresimit të traumës ndërbreznore dhe nevoja për mbështetje të vazhdueshme institucionale dhe shoqërore për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ishte në qendër të takimit të mbajtur ndërmjet Drejtorit Ekzekutiv të Institutit Kosovar për Kujtesë dhe Llogaridhënie (IKKL), Atdhe Hetemi dhe Shyhrete Tahirit, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, së bashku me vajzën e saj, Venesa.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e përballjes me plagët e së kaluarës dhe ndërtimit të një qasjeje profesionale e njerëzore që njeh dhe respekton përvojat e dhimbshme të luftës. Përvoja e Tahiri u vlerësua si një zë i rëndësishëm në ndërgjegjësimin publik dhe në dokumentimin e së vërtetës për të kaluarën e afërt të Kosovës.
Vajza e saj, Venesa, u cilësua si përfaqësuese e një brezi të ri që rritet me kujtimin e dhimbjes kolektive, por që angazhohet me guxim për ta kthyer këtë trashëgimi në reflektim dhe vetëdije shoqërore.
IKKL riafirmoi përkushtimin e tij për të promovuar këto përvoja përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe edukative me të rinjtë dhe studentët, duke synuar forcimin e ndjeshmërisë, mirëkuptimit dhe solidaritetit brenda shoqërisë kosovare.
