Java e Kryqit të Kuq në Kosovë: Shala, vetëdijesim dhe përfshirje e të rinjve
Armend Shala nga Kryqi i Kuq i Kosovës, në një lidhje të drejtpërdrejtë për programin e mëngjesit në RTK-në, tregoi për aktivitetet që do të mbahen nga data 8 deri më 15 maj, në kuadër të Javës së Kryqit të Kuq. Ai tha se do të zhvillohen gara të ndihmës së parë në nivel komunal, regjional dhe në fund edhe republikan.
“Fillimisht janë mbajtur trajnime për nxënësit e shkollës së mesme, pastaj janë zhvilluar garat në nivelin komunal, pastaj do të bëhet regjionale me ekipet fituese, dhe e fundit do të mbahet republikane më 15 maj,” tha Shala, duke shtuar se përveç garave do të ketë edhe aktivitete vetëdijesuese nëpër shkolla mbi historikun dhe vlerat humane të Kryqit të Kuq.
Java e Kryqit të Kuq shënohet çdo vit për të vlerësuar punën e vullnetarëve dhe organizatave humanitare në mbarë botën. Në Kosovë, kjo javë shërben si një mundësi për të përfshirë të rinjtë, për të ngritur ndërgjegjësimin dhe për të forcuar aftësitë në ndihmën e parë dhe reagimin në situata emergjente.
