LDK refuzon ftesën e Kurtit për takim rreth udhëheqjes së Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për të marrë pjesë në një takim konsultativ me qëllim të diskutimit për emërimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Në një letër të dërguar nga Kurti, ai kishte ftuar PDK-në dhe LDK-në si dy nga partitë më të mëdha opozitare në Kuvend, për të biseduar rreth përbërjes së udhëheqjes parlamentare.

Por deputeti i zgjedhur i LDK-së, Besian Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takim dhe se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndodhet jashtë vendit.

“Çështja e nënkryetarëve të Kuvendit, të përcaktuar si vende përfaqësimi të partive, nuk është çështje diskutimi, sepse janë pozita të përfaqësimit partiak. Çështja e kryetarit të Kuvendit është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, deklaroi Mustafa.

Me këtë refuzim, mbetet e paqartë se si do të ecën përpara procesi i formimit të udhëheqjes së Kuvendit në përbërjen e re legjislative. /Kosova.info/


Go to TOP