Muharremi kritikon strategjinë e LDK-së për dialog: Me këtë qasje, nuk vijnë në pushtet as për 10 vjet
Analisti politik Shenoll Muharremi ka komentuar refuzimin e shpejtë të LDK-së për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti duke theksuar se partia nuk i la as vetes kohë për konsultim të brendshëm. Sipas tij, qasja e LDK-së ndaj bashkëpunimit ndërpartiak dhe dialogut është e gabuar dhe e dëmshme për perspektivën e saj politike.
“Refuzimi ishte aq i shpejtë, saqë nuk pati kohë as për të menduar, e lëre më për t’u konsultuar me strukturat e partisë. LDK duhet të kuptojë që dialogu nuk ndalet asnjëherë, edhe kur ka qëndrime të ndryshme politike,” tha Muharremi.
Ai kritikoi faktin që LDK ka refuzuar ftesën për shkak të përfshirjes së çështjes së nënkryetarëve të Kuvendit në agjendën e Kurtit duke theksuar se ftesa është dashur të jetë ekskluzivisht për dialog politik dhe zhbllokim të Kuvendit. Sipas Muharremit, LDK nuk është domosdoshmërisht kundër dialogut, por kundërshton diskutimin mbi postet drejtuese në këtë fazë.
“Nëse vazhdojnë me këtë strategji të mbylljes, LDK mund të mbetet jashtë pushtetit edhe për një dekadë. Edhe në rast fitoreje zgjedhore, pa dialog dhe partneritet, nuk mund të qeverisë. Strategjia aktuale është e paarsyeshme dhe duhet ndryshuar për të qenë funksionale dhe për t’i shërbyer ardhjes në pushtet dhe zbatimit të programit për Kosovën,” përfundoi Muharremi.
Sipas tij, është thelbësore që LDK të ndajnë qëndrimet politike nga nevoja për dialog dhe komunikim ndërpartiak, nëse synon të luajë rol vendimmarrës në të ardhmen politike të vendit. /Kosova.info/
