Ibrahimi: Komunat rrezikojnë që t’i humbin dhjetëra miliona euro vitin e ardhshëm
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se buxheti i Kosovës për vitin 2025 është i pamjaftueshëm për komunat, duke theksuar se kontratat kolektive po shkaktojnë dëme të mëdha financiare në nivel lokal.
Sipas Ibrahimit, buxheti i vitit të ardhshëm është 22% më i lartë krahasuar me vitin aktual, por kjo nuk do të ketë efekt domethënës për shkak të kostove që krijojnë kontratat kolektive, të cilat vetëm këtë vit u kanë marrë komunave mbi 62 milionë euro.
“Këtë vit, buxheti për komunat përbën 22.4% të buxhetit total të Kosovës. Nëse kjo përqindje do të mbetej e njëjtë në vitin 2025, komunat do të përfitonin mbi 20 milionë euro më shumë. Kontratat kolektive janë duke i marrë miliona euro komunave, dhe pa një ndërhyrje nga niveli qendror, situata financiare vetëm sa do të përkeqësohet,” deklaroi ai.
Kërkesa për grante të reja dhe përmirësim të financave
Një nga kërkesat kryesore të komunave, sipas Ibrahimit, është themelimi i një granti të katërt për shërbime sociale, i cili aktualisht figuron vetëm si propozim në projektligjin për financa lokale. Ai tha se pavarësisht takimeve me liderët institucionalë, përfshirë kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe Komisionin për Buxhet dhe Transfere, nuk është arritur asnjë zgjidhje konkrete.
Ibrahimi ka theksuar se kostot e larta për zbatimin e kontratave kolektive, që përfshijnë paga për punonjësit arsimorë dhe shpenzime të tjera ligjore, po ndikojnë negativisht në financat e komunave.
Rreziku për investimet kapitale
Ai paralajmëroi se, nëse problemi nuk zgjidhet, komunat mund të humbasin miliona euro të tjera vitin e ardhshëm, duke ndikuar në realizimin e projekteve kapitale dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Vetëm këtë vit janë marrë mbi 60 milionë euro nga investimet kapitale për të mbuluar shpenzimet e kontratave kolektive. Nëse situata vazhdon kështu, më shumë se 10 komuna mund të mos kenë mjete për pagat e zyrtarëve komunalë,” tha Ibrahimi.
Ai u bëri thirrje deputetëve që gjatë dëgjimit të dytë për buxhetin e vitit 2025 të adresojnë këtë problem dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme. Sipas tij, moszgjidhja e situatës do të dëmtojë jo vetëm komunat, por edhe qytetarët që presin përmirësim të shërbimeve dhe investimeve lokale.
