Termokosi i varur nga KEK-u, ka mazut vetëm për 10 ditë

Dita e mërkurë për qytetarët e Prishtinës nisi pa ngrohje qendrore nga “Termokosi”.

Një rrjedhë në kaldajën e njësisë B të KEK-ut ishte arsyeja që “Termokosi” nuk u furnizua me avull.

Për shkak të furnizimit 24 orë me ngrohje qendrore, qytetarët shpresojnë që të mos detyrohen të përdorin rrymën si alternativë nëse vazhdojnë problemet me ngrohtoren e qytetit.

Si pasojë e mosngrohjes, edhe disa shkolla të qendrës së Prishtinës u detyruan të punonin një ndërrim me orar të përgjysmuar. Në shkollën “Hasan Prishtina” një 6 vjeçar u raportua si i humbur pasi që u lirua nga shkolla para orarit të rregullt. Fëmija u gjet pasdite në Ulpianë.

Shpresa Shala, drejtoresha e shkollës “Xhemail Mustafa”, paralajmëroi se mësimi online mbetet opsion nëse ka probleme me ngrohjen.

“Për shkak të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve dhe temperaturave të ulëta, ndërrimi i pasdites do të jetë me orar të shkurtër. Mirëpo, për ditën e nesërme, mbetemi të jemi në kontakt me Drejtorinë e Arsimit, dhe me Termokosin, dhe nëse do të rregullohet mësimi vazhdon normalisht, nëse jo do të marrim vendim a do të shkojmë online apo jo”, u shpreh Shala.

Ngrohja me avull u rikthye ditën e enjte, me sanimin e defektit në termocentralin “Kosova B”. Sipas kryeshefit ekzekutiv, Arsim Fetahu, ngrohja me mazut është bërë vetëm për 12 orë. Ai ka thënë se shpresojnë që KEK-u të mos ketë probleme. Në Termokos sipas tij kanë rezerva mazuti për ngrohje nga 7 deri në 10 ditë.

Mungesa e ngrohjes, si dhe paralajmërimet për shtrenjtimin e rrymës kanë nxitur shqetësimin e qytetarëve. Ata thonë se presin zgjidhje të shpejtë.

Qytetarët e Prishtinës ditëve të fundit po përballen edhe me mungesë të energjisë elektrike, për shkak të punimeve nga ana e KEDS. Sipas zëdhënësit Adlum Ramadani, ditëve në vazhdim mund të përkeqësohet gjendja për shkak të krizës.

“Konsumatorët nuk po ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike, por për shkak të punimeve të domosdoshme për të krijuar një infrastrukturë e cila do ta përballojë mbingarkesën dhe në këtë rrjedhojë KEDS është duke bërë përpjekjen maksimale të përmirësojë furnizimin e qëndrueshëm për konsumatorët tanë. Është duke bërë importe të vazhdueshme e cila nuk po arrihet të bëhet në vendin tonë dhe në këtë rast po mundësohet që konsumatorët tanë të mos ndikohen me krizën që e ka kapur vendin, mirëpo situata në ditët në vijim do të përkeqësohet me rënien e temperaturave dhe edhe ne si kompani bëjmë apel që të shfrytëzohet sa më racionaliste dhe përmes këtij shfrytëzimi të energjisë racionale të mos afektohet në tarifat e ardhshme që do ndërmerren nga ZRRE”, tha Ramadani.

Ndryshe, KEDS-i ka bërë kërkesën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 7 për qind që nga 1 dhjetori.

Go to TOP