Bulliqit i kërkohen hapësira të reja për varreza e projekte infrastrukturore

Hapësira të reja për varreza dhe mirëmbajtje të tyre kanë kërkuar qytetarët e Podujevës në takimin publik që e ka thirrur kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi. Edhe pse takimi ishte thirrur për të prezantuar punën njëvjeçare të qeverisë komunale, qytetarët e kanë shfrytëzuar rastin për të kërkuar projekte nëpër lokalitetet ku ata jetojnë.

Ali Ibishi nga fshati Shakovicë e ka pyetur Bulliqin nëse kanë menduar të caktojnë parcela të reja për varreza.

“Unë jam inkasant në Bashkësinë Islame dhe nga kontaktet me qytetarë njëra prej brengave që ata e përmendin, sidomos ata që kanë migruar nga zonat e thella malore në fshatrat përreth qytetit dhe në qytet është çështja e varrezave dhe mirëmbajtja e tyre. Në fshatin Shakovicë kur ka reshje të shumta varrezat vërshohen nga uji. Shqetësuese për mua është edhe ngritja e shtatoreve pa kurrfarë kriteri dhe po ashtu një shtatore e zë vendin e tri varreve”, ka thënë Ali Ibishi.

Edhe Shaip Hoxha nga fshati Penuhë ka thënë se kur ka vërshime i merr uji edhe varrezat e këtij fshati.

“Na jemi të rrezikuar prej ujit. Prej që ka fillua Komuna me punua në lumin Llap, është duke i marrë shtëpitë tona. 62 vite i kam kurrë nuk ka hy uji përpara, ndërsa si ia nisi me punua komuna na hini uji. Nuk e di çka do të bëhet, ose do të shpërngulemi, ose dilni e shikone”, ka thënë ai.

Ndërsa Faton Hoxha nga fshati Obrançë ka theksuar se 1.8 hektarë tokë që janë ndarë për varreza janë vetëm për Obrançë dhe se nuk mjafton kjo hapësirë që aty të futen edhe varrezat e qytetit.

Ndërkohë kryetari Shpejtim Bulliqi ka thënë se qyteti i Podujevës ka nevojë për hapësira të reja për varreza.

“Kur kam ardhur këtu i kam gjetur nja tri vendime të ndryshme për varreza në Obrançë.

Njëherë e kanë ndarë për varreza të qytetit. Pastaj e kanë përgjysmuar sipërfaqen edhe e kanë kthyer për Obrançë. Në fund e kanë kthyer për Obrançë dhe e kanë hequr komplet Podujevën prej atyre varrezave. Varrezat te Tjegullorja veç janë të stërmbushura, ato te hekurudha po ashtu në të dyja anët. Por edhe këto të cilat ndodhen te Besiana nuk janë më mirë”, është shprehur Bulliqi. “Ne e kemi nisur një proces të shpronësimit të afër 10 hektarëve tokë prapë te Obrança, por jo për një lokalitet të vogël, por për qytetin e Podujevës. Procesi është në vazhdën e atyre kërkesave për shpronësime që përfshihet edhe zona industriale edhe për çështje tjera. Varrezat e Shakovicës, e dimë situatën dhe unë besoj shumë shpejt se do të fillojmë këtë projekt për atë ujë. Aty ka qenë kanali, por e kanë mbyllur”.

Ai ka thënë se këtë kanal nuk e ka mbyllur komuna, por individë të panjohur dhe se nuk ka ndodhur gjatë mandatit të tij.

“Por, ne do ta zgjidhim këtë problem. Por e dini që në çdo ngritje e nivelit të lumit të Batllavës rrezikon që të hyjë uji në ato varreza. Sa u përket lapidarëve, ndoshta është mirë që Këshilli i Bashkësisë Islame të merret me këtë. Ne e mbështesim, por iniciativën duhet ta nisë BIK-u, që ta përcaktojë një kriter. Nëse komuna hyn në këtë proces, nuk besoj se është mirë. E ne jemi për t’iu ndihmuar”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi.

Por, për çështjen e lumit ai ka thënë se fajtor në shumë raste janë banorët, të cilët e kanë ngushtuar shtratin e tij, por edhe ish-qeverisjen komunale për mosplanifikim të duhur të projekteve.

“Atë gjendje të lumit Llap e kemi pru vetë, me shtyrje, me hunj, me therra. Lumenjtë vërshimet i bëjnë në pjesët e poshtme. E këta (LDK v.j.) kanë punuar lart e ne kemi filluar të punojmë poshtë. Gjendjen të cilën e kemi trashëguar edhe në një lagje këtu në qytet ka qenë e rëndë. Kanë lejuar ndërtime pa leje, kanë lejuar ndërtime mbi përroskë. Tash aty është duke u realizuar projekti”, ka thënë kryetari i Komunës së Podujevës.

Pjesëmarrësit në këtë takim kanë kërkuar nga i pari i Komunës edhe rrugë, kanalizim, ujësjellës, ambulanca, etj.

Shaip Hoxha nga fshati Penuhë ka thënë se ka mbetur një rrugë në fshat pa asfalt në gjendje shumë të keqe. Sipas tij, edhe projekti për vendosjen e kolektorit ua ka dëmtuar rrugën dhe askush nuk i ka sanuar dëmet.

Ndërsa Faton Hoxha nga fshati Obrançë ka thënë se e ka bërë sivjet një kërkesë për rregullimin e shkallëve te “Ura e hekurit”, por deri tash kjo nuk ka ndodhur. Edhe ai ka pasur vërejtje që dëmet gjatë punimeve në rrugë nga kompania e Ujësjellësit nuk janë sanuar në këtë fshat. Meqenëse ka thënë se ka biznes privat, ai ka kërkuar angazhim të Inspektoratit që t’i kontrollojnë më shumë bizneset e të dielave.

E përfaqësuesi i restorantit “Ora”, Ditar Hoti, ka kërkuar që gjatë ndërtimit të autostradës për në Merdar të mos u bllokohen bizneset.

Pjesëmarrësit kanë kërkuar po ashtu t’u bëhet një zgjidhje autobusëve e kombibusëve që bartin udhëtarë në Sfeçël e Shajkofc, pasi tash për tash janë duke e penguar komunikacionin. Ata po ashtu kanë kërkuar investime në kanalizim, ujësjellës në fshatin Ballofc dhe ruajtjen e trashëgimisë në këtë fshat. Pastaj ujë të pijshëm, ambulancë, asfalt, sanimin e defektit në kanalizim, zgjidhje për qentë endacakë dhe problemin me tension të lartë në Konushefc, autobus në rrugën “Skënderbeu” në qytet, sanimin e rrugës Murgull-Bellosicë dhe ruajtjen e pyjeve atje, investim në rrjetin e kanalizimit në Halabak, ndërtimin e bankinave përgjatë lumit e asfaltimin e disa rrugëve aty.

Shpejtim Bulliqi u është përgjigjur secilit prej tyre. Për rrugën në Penuhë ka thënë se do të kryhet. Sa u përket vërshimeve në këtë fshat Bulliqi ka thënë se aty është punuar ndër vite dhe nuk e di nëse kjo ka lidhje me vërshimet. Ndërsa për shkallët te parku ai thotë se edhe pse nuk ka qenë projekt i paraparë për 2022 do të kryhet në vitin e ardhshëm. Vërejtje ka pasur edhe Bulliqi për mossanimin e rrugëve nga kompanitë publike, për të cilën gjë ka premtuar se do të gjejnë një zgjidhje. Zgjidhje ka premtuar edhe për orarin e punës së bizneseve dhe pushimin për punëtorët gjatë ditës së diel. Kryetari Bulliqi u ka premtuar pjesëmarrësve se do të merren me të gjitha kërkesat që i kanë parashtruar gjatë takimit të ditës së hënë dhe se ato do të realizohen varësisht prej mundësive që i ka komuna.

Kurse në pjesën e prezantimit të projekteve të realizuara gjatë vitit 2021, Shpejtim Bulliqi ka thënë se janë asfaltuar 40 km rrugë, janë ndërtuar 20 km kanalizim, 8 km trotuare, 100 km ndriçim publik, 9 ura dhe kalesa dhe janë trajtuar me zhavorr 40 km.

“Janë renovuar objekte banesore, është ndërtuar parking me hapësira të gjelbëruara afër objektit të vjetër të komunës, si dhe jemi në finalizim të projektit kryesor që është Harta Zonale. 20 shkolla janë pajisur me kabinete të informatikës dhe laboratore, e kemi bërë funksionalizimin e shërbimit të patronazhit, repartit të stomatologjisë dhe mamografisë. Kemi filluar me ofrimin e shërbimeve dhe analiza të ndryshme të cilat më parë qytetarët i kanë bërë në ordinanca private dhe me kosto të lartë. Po ashtu, ka filluar puna në dy ndërrime në Orllan dhe Kërpimeh”, ka thënë ndër të tjera Bulliqi.

Ai po ashtu ka theksuar se është bërë zgjerimi i hapësirave të Bibliotekës së Qytetit, është renovuar palestra “Hakif Zejnullahu”, renovimi i hapësirave në teatrin “Avdush Hasani”, zhvendosja e Arkivit Historik, pasurimi i Bibliotekës së Qytetit me tituj të rinj, si dhe zgjatja e orarit.

“Janë realizuar projektet për mbështetjen e fermerëve 50 mullinj, me mëshqerra, njëherë 46 dhe njëherë 70 krerë, mbështetja me fidanë të mjedrës 50 kultivues, janë shpërndarë shoqëri bletësh për 105 bletarë. Po ashtu janë kompensuar edhe bujqit që nga moti i lig dhe fatkeqësitë natyrore kanë pësuar dëme”, ka thënë ai.

Bulliqi ka përmendur edhe shumë projekte që, sipas tij, janë realizuar gjatë këtij viti që po e lëmë.

Go to TOP