I premtoi një personi se do ta punësonte në KEK, dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe 700 euro gjobë i akuzuari

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 700 euro gjobë të akuzuarin N.H, i cili nuk e pranoi se mashtroi të dëmtuarin se do ta punësonte ne KEK.

Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga gjykatësja Sulltane Hoti.

I akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur me 1 shkurt 2022, nuk  pranoi fajësinë se të dëmtuarin L.D e kishte mashtruar, duke i premtuar se do ta punësonte në KEK dhe të njëjtit i kishte marrë para në vlerë prej, 1 mijë e 500 euro, të cilat para nuk ia kishte kthyer asnjëherë dhe nuk i kishte përmbushur premtimin e dhënë.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim me kusht, nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës prej një viti i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, i akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 50 euro në emër të paushallit gjyqësor, 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndërsa, pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.

Sipas aktakuzës së ngritur në nëntor të 2017-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, N.H akuzohej se më 3 mars 2016, në fshatin “Milloshevë”, Komuna Prishtinë, me qëllim që t’i  sjellë dobi pasurore të kundërligjshme vetes apo personit tjetër, duke i premtuar  se do ta punësojë në KEK (Korporata Energjetike e Kosovës)- Obiliq, e mashtron të dëmtuarin L.D.

Në aktin akuzues thuhet se i dëmtuari u ia ka dhënë të akuzuarit  shumën prej 1 mijë e 500 euro para për ta punësuar në KEK, duke i premtuar se do të fillonte punën më 13 mars 2016, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur, e që as paratë nuk ia kishte kthyer.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 335, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Go to TOP