Çeku: Kosova do të bëhet destinacioni kryesor për prodhimtari filmike

Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektrregulloren e rabatit në Ligjin për Kinematografinë. Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se rabati nuk do të jetë vetëm për filma e seriale, por edhe për animacion, videoklipe e video-lojëra.

“Kjo nuk është vetëm për filma e seriale por edhe për videoklipe muzikore, reklama dhe së fundmi edhe për zhvilluesit e lojërave që është një përfshirje që pasqyron kohën më moderne dhe diversitetitn e industrisë kreative”, tha Çeku.

Ministri Çeku shtoi se kjo rregullore do të nisë një etapë të re të kinematografisë. “Kosova do të bëhet destinacioni kryesor për prodhimtari filmike në rajon duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse janë prezentë dhe të gatshme për të ngritur industrinë tonë në nivele edhe më të larta”, shtoi ministri.

Ministri po ashtu deklaroi se brenda pesë viteve të ardhshme në Kosovë planifikohet të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume, duke përfshirë edhe stadiumin nacional.

Sipas tij është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Kosovës, UEFA-n, FIFA-n dhe 16 komuna të Kosovës për zbatimin e këtij projekti, në mënyrë që Kosova të jetë gati me infrastrukturë sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.

Ndërsa për raportimet se ka pasur rrahje brenda ministrisë së Kulturës, Çeku ka shtuar se është duke u marrë me rastin.

“Informatat jemi duke i marrë, faktet duke i kontrollu, besoj edhe Policia po e kryen pjesën e saj që është shumë e rëndësishme në këto raste. Nuk mund të marrë më shumë informata pasi edhe unë po marrë. Dhuna ose sulmi fizik është i papranueshëm, i patolerueshëm dhe absolutisht i dënueshëm”, ka theksuar ai.

Go to TOP