Zyrtari i BE-së: Prokuroria është rojtarja e drejtësisë, vendimet tuaja përcaktojnë besimin e qytetarëve
Shefi i Njësisë për Sundimin e Ligjit, Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut në Zyrën e BE-së dhe në Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, Jarmo Helppikangas, ka vlerësuar rolin thelbësor të prokurorisë në forcimin e sundimit të ligjit dhe në ruajtjen e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Në fjalimin e tij në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ai tha se prokuroria është “rojtarja e drejtësisë” dhe se vendimet e saj kanë ndikim të drejtpërdrejtë në besimin publik, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Prokurori është rojtar i drejtës dhe vendimet tuaja kanë rëndësi për besimin e njerëzve, sepse në fund të fundit u shërbejmë atyre që kanë të drejtë t’u shërbehet drejtësi,” tha Helppikangas.
Ai e krahasoi prokurorinë me motorin e një makine që niset për të ndjekur penalisht rastet, duke theksuar se nëse ky motor ka vështirësi në funksionim, edhe rruga drejt drejtësisë bëhet e vështirë.
Helppikangas theksoi se llogaridhënia dhe integriteti nuk janë vetëm detyrë institucionale, por përgjegjësi individuale e secilit prokuror.
“Parimet e sundimit të ligjit mund të duken abstrakte, por ju me veprimet tuaja i bëni ato konkrete,” tha ai.
Duke folur për procesin e reformës në drejtësi, zyrtari i BE-së tha se Bashkimi Evropian e mbështet fuqishëm këtë proces dhe se është me rëndësi që ai të zhvillohet në mënyrë të duhur dhe me vizion drejt të ardhmes.
“Nëse bëjmë më mirë për të ardhmen, fuqizojmë besimin e publikut në drejtësi,” shtoi ai.
Helppikangas theksoi se prokuroria nuk ka asgjë për të fshehur, sepse qëllimi i saj është t’i shërbejë qytetarëve dhe të sigurojë funksionim të drejtë e të pavarur të sistemit prokurorial.
Në fund, ai u bëri thirrje prokurorëve që ta ushtrojnë pushtetin në mënyrë të pavarur dhe të mos ndikohen nga asnjë udhëzim apo ndërhyrje e jashtme gjatë procesit të votimit apo vendimmarrjes.
“Veproni në mënyrë të pavarur, merrni vendimet pa ndërhyrje nga jashtë,” përfundoi Helppikangas. /Betimi për Drejtësi/
