Shefi i EULEX-it: Mbrojtja e prokurorëve dhe ndjekja e krimeve sipas standardeve ndërkombëtare, prioritet në Kosovë

Gjatë Konferencës Vjetore të Prokurorëve, shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe ka theksuar nevojën për mbrojtje të prokurorëve.

Barbano u shpreh falënderues për bashkëpunimin dhe tha se është veçanërisht i ndjeshëm ndaj çështjes së kërcënimeve ndaj Prokurorit të Shtetit, duke theksuar se ka përjetuar situata të ngjashme personalisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është jetike që t’i ndihmojmë dhe mbështesim sistemin prokurorial dhe gjyqësor, që prokurorët të kenë mbrojtje adekuate,” tha Barbano.

Ai shtoi se një kapitull të veçantë të monitorimit EULEX ia ka kushtuar kësaj teme dhe se kur këto raste të sjellin në vëmendje të publikut, ndikon edhe në frenimin e kërcënimeve.

Barbano theksoi se krimet duhet të ndiqen sipas standardeve ndërkombëtare dhe se përzgjedhja e sotme e anëtarëve të Këshillit Prokurorial duhet të bëhet duke marrë parasysh punën, integritetin dhe aftësinë për të rritur llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve.

“Ju dëshiroj që sot të zgjidhni personin e duhur. Përzgjedhja duhet të bëhet mbi bazën e besimit më të madh që i keni, duke forcuar integritetin dhe besimin publik,” tha ai. /Betimi për Drejtësi/


Go to TOP