Zogaj: Prishtina po transformohet në një qytet më modern dhe të jetueshëm
Nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj, në një bashkëbisedim për Kosova.info, ka folur për disa nga projektet e realizuara, e që sipas tij e kanë transformuar Prishtinën në një qytet siç e duan qytetarët.
Zogaj ka njoftuar për progresin e dukshëm në realizimin e projektit “Prishtina pa gropa”.
“Ky projekt synon eliminimin e të gjitha gropave dhe dëmtimeve në rrugët e kryeqytetit, duke rritur sigurinë dhe përmirësuar qasjen për të gjithë qytetarët’, ka thënë ai për të shtuar se, puna përfshin jo vetëm riparimin e rrugëve kryesore, por edhe ndërtimin e trotuareve dhe korsive për biçikleta si dhe përmirësimin e sistemeve të kanalizimeve për të shmangur përmbytjet.
Zogaj tha se, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës, komuna ka ndërmarrë edhe një aksion për largimin e veturave të braktisura, të cilat kanë zënë hapësira publike dhe kanë dëmtuar ambientin urban.
“Qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë duke njoftuar autoritetet për automjetet e braktisura”, tha ai.
Lidhur me menaxhimin e mbeturinave, Zogaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me kompanitë private, të cilat kanë ndihmuar ndërmarrjen komunale “Pastrimi” për të mbajtur qytetin e pastër.
Ai paralajmëroi se shfuqizimi i këtij bashkëpunimi do të krijonte monopol dhe do të ulte efikasitetin në mbajtjen e pastërtisë së qytetit.
Një projekt tjetër i rëndësishëm sipas tij është edhe ai për lagjen “Kodra e Trimave”, ku komuna është në diskutime me banorët për realizimin e projekteve të reja infrastrukturore.
Zogaj gjithashtu përmendi rritjen e komunitetit të përdoruesve të biçikletave në qytet, me mbi 3000 përdorues të regjistruar në sistemin Prishtina Bike, një tregues i qartë i angazhimit të qytetarëve për një mjedis më të pastër dhe të qëndrueshëm.
Ndërsa për trafikun, Zogaj njoftoi për përmirësime të ardhshme, përfshirë unazën e brendshme dhe ndërtimin e parkingjeve të reja. Po ashtu, ka qenë e suksesshme nënshkrimi i kontratave për autobusë të rinj, të cilët pritet të vijnë në pranverën e ardhshme.
Në lidhje me problemin e qenve endacakë, ai konfirmoi se qendra për strehimin e tyre është hapur.
“Kjo qendër do të lehtësojë mbledhjen e qenve nga rrugët duke ofruar një zgjidhje të qëndrueshme për këtë çështje”, tha Zogaj.
Në tërësi, Zogaj shprehu besimin se me këto projekte, Prishtina po transformohet në një qytet më modern dhe të jetueshëm duke përfshirë zgjidhje për sfidat infrastrukturore, mjedisore dhe urbane. /Kosova.info/
