Zogaj: ‘Rruga e Re’ e LDK-së, vizioni ynë për një Kosovë të zhvilluar dhe evropiane

Kryetari i Degës së Tretë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë Alban Zogaj në një bashkëbisedim për Kosova.info diskutoi mbi përpjekjet e partisë dhe vizionin e saj për të ardhmen.

Zogaj theksoi rëndësinë e organizimit të mirë dhe të bashkëpunimit brenda strukturave të LDK-së duke shprehur bindjen se angazhimi i vazhdueshëm dhe puna në terren do të jenë kyçe për suksesin e partisë.

“Ne, si forcë politike, LDK, po rilindim, në Prishtinë, në mbarë Republikën e Kosovës dhe jashtë saj,” tha Zogaj.

Ai vuri theksin në vizionin e “Rrugës së Re,” një program strategjik që synon zhvillimin ekonomik, përmirësimin e shërbimeve publike, dhe forcimin e institucioneve shtetërore.

“Rruga e Re është rruga e zhvillimit të Kosovës, e një arsimi më cilësor, e një shëndetësie më të mirë dhe e një perspektive evropiane,” shtoi ai.

Në takimet e tij me nëndegët e LDK-së, Zogaj theksoi se, përkushtimi dhe angazhimi kolektiv, janë thelbësore për përmbushjen e objektivave politike të partisë.

Ai theksoi se LDK do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në skenën politike të Kosovës, duke promovuar një qeverisje, të drejtë dhe të ndershme që përputhet me vlerat themeluese të partisë.

“Bashkë me ekipin, kemi shumë punë përpara, por me angazhimin dhe mbështetjen tuaj të palëkundur, jemi të sigurt që do t’i arrijmë qëllimet tona,” përfundoi Zogaj, duke i bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të kontribuojnë me ide të reja dhe energji pozitive për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP