Zogaj kritik ndaj Albin Kurtit: Leje Prishtinën, tregona për Urën e Ibrit

Nënkryetari i komunës së Prishtinë, Alban Zogaj, ka kritikuar ashpër Kryeministrin Albin Kurti për mospërfshirjen dhe mungesën e interesit ndaj kryeqytetit gjatë mandatit të tij.

Në një postim në profilin e tij në facebook, Zogaj përmendi disa nga problemet kryesore që ai thotë se Kurti ka injoruar:

– “Nuk e keni vizituar zyrën e Kryeqytetit asnjëherë në 4 vite mandat,” deklaroi Zogaj, duke theksuar mungesën e komunikimit të drejtpërdrejtë me autoritetet lokale të Prishtinës.

– “Nuk jeni interesuar për asnjë problem e hall të qytetarëve të Prishtinës,” vazhdoi ai, duke akuzuar Kurtin për mungesë interesi ndaj çështjeve të përditshme të kryeqytetit.

– “Nuk e keni ndarë ASNJË cent për Kryeqytetin,” tha Zogaj, duke ngritur pyetje për alokimin e fondeve nga qeveria për projekte të rëndësishme.

– “E keni bllokuar projektin e Unazës së Jashtme (mbi 300 milionë EUR);” dhe “E keni refuzuar projektin e Bankës Botërore për Prishtinën, me titull ‘Liveable Cities’,” akuzoi ai, duke shtuar se këto projekte do të kishin përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe cilësinë e jetesës në Prishtinë.

Zogaj përmendi gjithashtu bllokimet ndaj projekteve të tjera, përfshirë nënkalimin ‘Agim Ramadani’, spitalin e Prishtinës, dhe zhvillimin e ‘Rrugës A’, duke akuzuar Kurtin për pengim në çdo hap të mundur.

Ai gjithashtu kritikoi përpjekjet e qeverisë për të anashkaluar Prishtinën nga organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030.

Në fund, Zogaj përfundoi me një thirrje ironike: “Leje Prishtinën, tregona najsen për Urën e Ibrit!”, duke aluduar për mungesën e veprimeve konkrete të qeverisë në çështjet e rëndësishme kombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP