Zemaj kritikon qeverinë: Kemi parë tension në politikën e jashtme

Deputeti i LDK’së, Armend Zemaj thotë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, ishte kërkesë e domosdoshme. Tha se institucionet e Kosovës kanë dështuar që të shfrytëzojnë situatën politike ndërkombëtare të krijuar pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Është kërkesë e domosdoshme, kemi parë fatkeqësisht në politikën e jashtme një tension, në kuptimin e asaj që po ndodh me Ukrainën dhe me rajonin shpeshherë. Duket se qeveria me vonesë e ka shfrytëzuar këtë hapësirë me Kosovën dhe averzionin që është ndaj Rusisë si agresor ndaj Ukrainës, por shpresojmë dhe besojmë që kjo punë do të kurorëzohet me sukses”, tha Zemaj.

“Ka kohë të gjatë që ne, Kosova, Kuvendi i Kosovës, ka bërë një punë intensive dhe gjithë kjo tash duhet t’i paraprijë ose pas dorëzimit të këtij aplikacioni, edhe një dinamikë lobimi e shpejtë, e sigurt, konkrete dhe te njerëzit që kanë ndikim dhe me votën e tyre do të ndihmojnë ose që do të vendosin që ne jemi pjesë e Këshillit të Europës”, theksoi Zemaj.

“Merita është e institucioneve të Kosovës, e gjithë atyre që nga shpallja e pavarësisë që kanë insistuar që subjektiviteti i jashtëm i Kosovës të forcohet me anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, shtoi ai.

Go to TOP