Zbardhet ekspertiza mjekoligjore për vdekjen e 4 rusëve në Qerret, në trupat e tyre u gjet prezencë e lartë e monoksidit të karbonit

Humbja e jetës së katër turistëve rusë, Sergei Burenkov, gruas së tij, vajzës dhe dhëndrit, në një hotel luksoz në zonën e Qerretit në Kavajë, vazhdon ende të jetë e mbuluar nga misteri. Se çfarë ndodhi me ta, atë mbrëmje të 15 tetorit 2021, në pishinën e mbyllur të hotelit “Gloria Palace”, ende nuk ka një përgjigje të qartë.

Afro 45 ditë nga ngjarja shokuese, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka mundur të përcaktojë shkakun fillestar të humbjes së jetës së anëtarëve të familjes ruse që kishte zgjedhur Shqipërinë për të pushuar. Emisioni “Në shënjestër” i gazetares Klodiana Lala ka zbardhur detaje mbi shkaqet e vdekjes së 4 turistëve.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, “në trupat e viktimave, u konstatua prania e monoksidit të karbonit në masën mbi 75 për qind”. Ekspertiza ka rrëzuar dyshimet e ngritura më herët, se vdekja mund të kishte ardhur nga përdorimi i tepruar i klorit. Një kompani e certifikuar ndërkombëtarisht e ka rrëzuar këtë pistë, ndonëse institucionet u përplasën mes tyre për kryerjen e këtyre ekspertizave me argumentin se kampionët e ujit dhe të klorit për t’u ekzaminuar nuk ishin marrë në formën e duhur ligjore.

Ndërkohë që nga ekspertiza e kryer ka rezultuar se rusët nuk kanë pasur ndonjë reaksion apo helmim nga ushqimi që mund t’u shkaktonte atyre vdekjen. Por edhe pse Mjekësia Ligjore ka përcaktuar shkakun e vdekjes së katër rusëve, duket se Prokuroria nuk është e bindur për shkakun e vërtetë të humbjes së jetës së tyre. Për këtë arsye organi hetues ka thirrur në ndihmë Ministrinë e Mbrojtjes.

Dhe më konkretisht Shërbimin Sekret të Ushtrisë, me qëllim për të kryer një eksperiment hetimor në të njëjtat kushte që ka ndodhur ngjarja. Ku përmes këtij eksperimenti do të duhet të provohet nëse dyoksidi i karbonit, është shkaktuar në ajër si pasojë e keqfunksionimit të kaldajës në hotel dhe mungesës së sistemit si duhet të ventilimit, apo për arsye të tjera. Është ky eksperiment që do të mund të përcaktojë përfundimisht shkakun e vërtetë të vdekjes së 4 turistëve rusëve. Si edhe për t’i dhënë fund misterit që mbulon ende humbjen e jetës së tyre.

Reagon mjeku ligjor

Në një lidhje telefonike me Bardhyl Cipi ekspert mjeko-ligjor, ai u shpreh se monoksidi i karbonit i dalë në rezultatet e ekspertizës është një nga helmet më të rrezikshme dhe në momentin që ai lidhet me hemoglobinën bëhet vdekjeprurës. Ai beson vdekja e tyre ka ndodhur aksidentalisht kjo e vërtetuar edhe nga helmimi ndërkohë që tha se problemi në kaldaja duhet të jetë shumë i rëndë që vdiqën të 4 bashke.

“Monoksidi i Karbonit është një gaz pa erë dhe peshë sa të ajrit dhe formohet kur ka djegie. Ai konsiderohet një nga helmet më të rrezikshme dhe më të përhapura. Ka si veti që të lidhet me hemoglobinën e gjakut. Në rast kur futet monoksidi lidhet ky me hemoglobinën dhe lidhja me të është 250 herë më e fuqishme se me oksigjenin. Varet nga sasia e gazit në vendin ku ndodhet njeriu. Oksigjeni zëvendësohet me këtë gaz dhe shfaqen shenjat e helmimit, me dhimbje koke, marrje mendsh. Ka edhe një lloj euforie e ngjashme me vdekjen. Pastaj kalohet në fazën e dytë ku njeriu ka pamundësi në të lëvizur, pastaj bie në koma dhe vdes. Në rastin konkret fakti që ata janë 4 persona dhe të 4 vdiqën në të njëjtin ambient e shton dyshimin që këtu kemi monoksidin e karbonit. Njeriu ruan një ngjyrë të kuqe të çelet, ruan ngjyrën e njeriut natyral. Në momentin ku kanë hyrë punonjës, ambienti është pastruar. Këtu është diçka që duhet parë me kujdes, fakti që këta vdiqën të katërt tregon se mundësitë për një defekt në kaldajë të jetë shumë i madh. Helmimi tashmë është vërtetuar sepse është 80% në gjak. Kjo gjë e vulos çështjen në një vdekje aksidentale. Duhet një hetim i tubave të kaldajës”, tha ai.

Go to TOP