Ymeri kërkon transparencë nga ZRRE
Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka kërkuar që Zyra e Rregullatorit për Energji të publikojë sa më shpejt raportet konsultative me operatorët e sektorit energjetik para marrjes së vendimit përfundimtar.
Përmes një reagimi publik, Ymeri theksoi se është e domosdoshme që raportet konsultative me KOSTT, KEDS dhe KESCO të bëhen publike para publikimit të raportit final të vendimit.
Ajo shtoi se periudha për komente duhet të jetë e mjaftueshme për të gjithë, në mënyrë që qytetarët dhe palët e interesuara të kenë mundësi të japin vërejtjet e tyre.
“Edhe nëse nuk rritet çmimi i rrymës, është tejet me rëndësi të dimë se si do të paguhet importi i vitit të kaluar dhe ‘sakrifica e importit’ për këtë vit”, ka theksuar Ymeri.
Në fund të reagimit të saj, deputetja e LDK-së paralajmëroi se do të vazhdojë ta përcjellë nga afër këtë proces duke shkruar: “I’m watching you – Jam duke ju përcjellur”. 👁 /Kosova.info/
