Xhamia “Kadërie” në Lagjen e Muhaxherëve lidhet me rrjetin e ngrohjes së “Termokos”

Kryeshefi i Termokos, Fisnik Osmani, së bashku me Nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, dhe Asambleistin Amir Simnica, zhvilluan një vizitë në xhaminë “Kadërie” në Lagjen e Muhaxherëve. Ata u mirëpritën nga imami i xhamisë, Hoxhë Baki Imeri, me rastin e fillimit të punimeve për kyçjen e këtij objekti të rëndësishëm fetar në rrjetin e ngrohjes së Termokos.

Punimet për kyçjen e xhamisë në rrjetin qendror të ngrohjes janë pjesë e përpjekjeve për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme për nevojat e komunitetit, përfshirë objektet fetare që luajnë një rol të rëndësishëm në jetën sociale dhe shpirtërore të qytetarëve.

“Ky investim tregon përkushtimin tonë për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve dhe për të ndihmuar në krijimin e një Prishtine më të gjelbër dhe më të qëndrueshme,” theksoi Fisnik Osmani.

Ekipet e Termokos po punojnë intensivisht për të siguruar përfundimin e punimeve brenda disa ditësh, me qëllim që xhamia “Kadërie” të përfitojë ngrohje cilësore dhe të mjaftueshme për sezonin dimëror.

Ky projekt është pjesë e një nisme më të gjerë të Termokos për të përfshirë sa më shumë objekte të komunitetit dhe për të mbështetur një mjedis të pastër dhe të qëndrueshëm në kryeqytet. /Kosova.info/


Go to TOP