Veteranët e pingpongut e mposhtin edhe vapën në nderim të dëshmorit Fatmir Fazlija

Në Palestrën e bukur të ShML “Anton Çeta”, në Skenderaj u zhvillua turneu përkujtimor i pingpongut për veteran, Fatmir Fazlija. Para hapjes së garës një delegacion i përbërë nga kreu i Federatës, KPP Shpresa dhe familjarë të dëshmorit Fazlija, bën homazhe te Busti i dëshmorit Fazlija, te Përmendorja e Adem Jasharit dhe te busti i Leotrimit të vogël.

Në hapje të turneut fjalë rasti mbajtën vajza e dëshmorit Fazlija, Flaka Fazlija, drejtori i DKRS Skenderaj Bekim Berisha, si dhe Kryetari i FPPK-së, i cili dha premtimin se turneu në të ardhmen do të bëhet ndërkombëtar. Morën pjesë mbi 50 pingpongistë nga Kosova dhe Shqipëria. Garat u zhvilluan në fazën e grupeve dhe dy më të mirët e secilit grup vazhduan në shortin kryesor me eliminime.

Te grup-mosha mbi 70 vjeç, Shkëlqim Hoxha nga Shqipëria i mundi të gjithë rivalët dhe fitoi vendin e parë, pasi në finale e mundi Jakup Bibajn e Ferizajt me 3:0 në seta.

Grupmosha me numrin më të madh të lojtarëve ishte mbi 65 vjeç, ku në finale u ndeshën Sheshivar Veliu nga Skenderaj dhe Xhorxhi Skufi nga Berati. Pas një ndeshjeje me shumë rivalitet, fitoi Skufi me rezultatin e ngushtë 3:2 në seta.

Te grup-mosha mbi 60 vjeçe, në finale u takuan Nehat Çitaku dhe Feim Rama. Pas një dueli interesant me shumë goditje atraktive, fitoi Feim Rama me rezultatin 3:1 në seta.

Për grup-moshën mbi 50 vjeçe, patëm një finale shumë të fortë, ku u takuan Alimemet Kaçaniku dhe Naser Hasani, lojtarë të nivelit të Superligës së Kosovës. Pas një dueli shumë të luftuar, Alimemet Kaçaniku fitoi me rezultatin 3:0 në seta. Te grupmosha më e re e veteranëve mbi 40 vjeç, edhe një herë u takuan dy lojtarët e Superligës, Yll Maloku i Kpp Gani Maloku dhe Jeton Azizi i Kpp Liria e Prizrenit. Fitorja i takoi Malokut me rezultatin 3:1 në seta.

Për fituesit, organizatori ndau medalje e Kupa, të cilat i ndanë familjarët e Fatmir Fazlisë. /Kosova.info/

Go to TOP