Ushtria izraelite thotë se ka goditur mbi 20 objekte ushtarake në Teheran

Izraeli ka kryer “një seri sulmesh” duke shënjestruar mbi 20 objekte ushtarake në Teheran, përfshirë objekte të lidhura me programin bërthamor dhe prodhimin e raketave të Iranit, njoftuan të mërkurën Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Gjatë orëve të fundit, 60 aeroplanë luftarakë të Forcës Ajrore të Izraelit “kanë goditur qendra prodhimi armësh, objekte për prodhimin e centrifugave, si dhe qendra kërkimi dhe zhvillimi të projektit të regjimit iranian për zhvillimin e armëve bërthamore,” thuhet në deklaratën e IDF-së. “Këto objekte ishin të destinuara për t’i mundësuar regjimit iranian të zgjerojë shkallën dhe ritmin e pasurimit të uraniumit me qëllim zhvillimin e armëve bërthamore.”

Pavarësisht avancimit të ndjeshëm të pasurimit të uraniumit, Irani ka deklaruar vazhdimisht se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore dhe ka mohuar se po zhvillon një bombë atomike, raporton CNN.

Sulmet e fundit kanë shënjestruar gjithashtu “fabrika që prodhojnë materiale të papërpunuara dhe komponentë për montimin e raketave, si dhe objekte për prodhimin e sistemeve iraniane të mbrojtjes ajrore,” thuhet në deklaratë.


Go to TOP