Uran Ismaili nga Tophanja: Zotimet për lagjet do t’i përfundoj, ose nuk kandidoj për mandatin e dytë
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, është pritur sot nga banorët e lagjes Tophane, ku ka prezantuar projektet e tij konkrete për një kryeqytet funksional. Ai theksoi se prioritetet e tij burojnë nga shqetësimet e qytetarëve të dëgjuara gjatë takimeve në terren, raporton Kosova.info.
Në fjalën e tij, Ismaili u ndal në pesë shtyllat kryesore të programit: një Prishtinë pa trafik, të pastër, me rrugë të sigurta, hapësira publike për komunitetin dhe një qytet të orientuar drejt së ardhmes përmes inovacionit, kulturës dhe sportit.
“Tophanja, edhe pse pranë qendrës, ka mbetur për vite të tëra jashtë vëmendjes komunale. Do të bëhet pjesë e erës së re që po vjen në Prishtinë. Unë do të jem kryetar i secilit qytetar, pavarësisht bindjeve politike. Zotimet për lagjet ose do t’i realizoj, ose nuk do të kandidoj për një mandat të dytë,” deklaroi ai.
Në planin e prezantuar për Tophanen, Ismaili përfshiu:
- rishikimin e planit urban për zhvillim të rregullt të lagjes;
- rregullimin e kabllove elektrike;
- krijimin e shtigjeve për këmbësorë e çiklistë;
- përmirësimin e qarkullimit dhe qasjes në rrugët kryesore që lidhin lagjen me pjesë të tjera të qytetit.
Projektet e veçanta për Tophanen sipas tij përfshijnë:
- bulevard modern me fasada të rinovuara në rrugën “Lidhja e Prizrenit”;
- subvencionim për bizneset e lagjes që të përshtaten me konceptin urban të ri;
- një çerdhe të re publike;
- restaurimin e klubit të boksit dhe objekteve identitare;
- ndërtimin e një qendre komunitare për sport, kulturë dhe edukim;
- legalizimin e pronave.
Ismaili tha se këto projekte do ta shndërrojnë Tophanen në një lagje moderne dhe funksionale, me identitet të fortë urban, duke e kthyer në një pikë reference dhe krenarie për Prishtinën./Kosova.info/
