Sulm me dron në Izraelin jugor: 22 të plagosur në Eilat, dy në gjendje të rëndë
Të paktën 22 persona u plagosën, përfshirë dy rëndë, pasi një dron i lëshuar nga Jemeni goditi qytetin bregdetar Eilat në Izraelin jugor, gjatë mbrëmjes së së mërkurës. Lajmi u konfirmua nga zyrtarët izraelitë, të cilët thanë se incidenti ndodhi në bregdetin e Detit të Kuq, shkruan CNN
Pamjet dhe videot e shpërndara nga ekipet e ndihmës së shpejtë dhe ushtria izraelite tregojnë dronin duke u ulur pranë zonës së dyqaneve dhe restoranteve, në kohën kur qytetarët po festonin Rosh Hashanah – vitin e ri hebraik.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se janë bërë përpjekje për interceptimin e dronit, por ai arriti të depërtonte në mbrojtjen ajrore. “U bënë përpjekje për interceptim dhe ekipet e kërkim-shpëtimit po operojnë në zonën ku u mor raporti në lidhje me ndikimin,” thuhet në reagimin e IDF-së.
Sulmi i së mërkurës vjen pas një sërë sulmesh me raketa balistike dhe dronë nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, të cilët kanë synuar Eilatin dhe zona të tjera në jug të Izraelit. Shumica e këtyre sulmeve zakonisht janë interceptuar nga mbrojtja ajrore izraelite, ndërsa ende nuk është e qartë si arriti ky dron të godasë objektivin.
