SPERTK kërkon rritje buxheti dhe emërimin e Bordit të ri të RTK-së
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar që çështjet jetike të Radiotelevizionit të Kosovës të trajtohen me prioritet.
SPERTK kërkon realizimin e pagës së 13-të përmes rritjes së buxhetit të RTK-së, në përputhje me vendimet për sektorin publik, si dhe rritje reale të buxhetit për vitin 2026, duke e cilësuar aktualin si të pamjaftueshëm për funksionimin normal të shërbimit publik medial.
Sindikata ka ngritur shqetësimin edhe për situatën institucionale në RTK, ku të gjitha pozitat drejtuese janë me ushtrues detyre, si dhe për mungesën e stafit në disa sektorë. Ajo i ka bërë thirrje Kuvendit që të emërojë sa më shpejt Bordin e ri të RTK-së.
Në të kundërtën, SPERTK thotë se do të ndërmarrë masa sindikale, përfshirë edhe organizimin e grevës.
