Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) me vendimin e 6 qershorit 2023, kanë vazhduar masën e paraburgimit për Pjetër Shalën.

“Paneli urdhëron vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit”, thuhet në dispozitiv të vendimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, është urdhëruar ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave, nëse dëshirojnë që të paraqesin parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se 6 korrik 2023.

Tutje, është urdhëruar mbrojtja që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se 13 korrik 2023 dhe ka përcaktuar që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se 18 korrik 2023.

Në fillim të këtij vendimi paraqitet historiku procedural, ndër të tjera se ZPS ka dorëzuar parashtresën e saj për shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, duke kërkuar vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, se mbrojtja iu është përgjigj parashtresës të ZPS-së duke kërkuar nga Paneli që të urdhërojë lirimin e përkohshëm të të akuzuarit ose vendosjen në arrest shtëpiak tek rezidenca e tij në Belgjikë, dhe së fundmi kundër-përgjigjen e ZPS-së.

Në pjesën arsyetuese të vendimit thuhet se Paneli rikujton se, në vendimin konfirmues, gjyqtari i procedurës paraprake përcaktoi se ekzistonte një “dyshim i bazuar mirë”, në kuptim të nenit 39(2) të Ligjit, se i akuzuari ka kryer vepra penale brenda juridiksionit të DhSK-së .

‘‘Duke kujtuar se pragu i “dyshimit të bazuar mirë” është domosdoshmërisht më i lartë se “dyshimi i bazuar” i kërkuar për vazhdimin e paraburgimit, Paneli rithekson se, në bazë të vendimit për konfirmim, kërkesa e nenit 41(6)(a) të Ligjit është plotësuar’’, thuhet në vendim.

Në lidhje me këtë, dhe përveç dëshmive të dëshmitarëve të dëgjuara deri më sot dhe materialeve tjera mbështetëse, Paneli konstatoi në këtë vendim se kërkesa sipas nenit 41(6)(a) të Ligjit nuk ka pushuar së ekzistuari dhe për këtë arsye vazhdon të përmbushet.

Ndërkaq, thuhet se Paneli rikujton se më parë ka gjetur se i akuzuari nuk është në rrezik të arratisjes andaj edhe nuk është i bindur nga parashtresat e ZPS-së se vendimi i Apelit për deklaratat e mëparshme është në gjendje ta ndryshojë atë vlerësim.

‘‘Rrjedhimisht, Paneli mbetet i bindur se i akuzuari nuk është në rrezik të arratisjes dhe se një rrezik i tillë, edhe nëse ekzistonte, mund të zbutet në mënyrë adekuate me kushtet që do t’i vendosen në përputhje me nenin 41(12) të Ligjit dhe rregullin 56(5) të Rregullores’’, thuhet tutje.

Kurse thuhet se Paneli edhe më parë ka vërtetuar se ekziston rreziku i pengimit të procedurës penale, sipas nenit 41 (6) (b) (ii) të Ligjit, për shkak të fillimit të gjykimit dhe dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së, zbulimin e identitetit të dëshmitarëve dhe provave shoqëruese, duke përfshirë informacione potencialisht inkriminuese. deklaratat kërcënuese të të akuzuarit [REDAKTUAR] dhe klima e përgjithshme, e themeluar dhe e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë.

Sipas kësaj gjykate, këta faktorë dhe rrethana vazhdojnë të ekzistojnë dhe nuk është paraqitur asnjë informacion apo zhvillim që i minon ata dhe përfundimin që ata mbështesin.

‘‘Përkundrazi, fakti që paraqitja e provave është në vazhdim e sipër dhe se dëshmitarë shtesë të ZPS-së kanë ofruar prova, duke përfshirë prova potencialisht inkriminuese, do të thotë se rreziku i pengimit të procedurës është ende shumë i pranishëm’’, thuhet tutje në arsyetim të vendimit.

Gjithashtu, sipas këtij vendimi Paneli nuk është i bindur nga argumenti i mbrojtjes se deklaratat e të akuzuarit nuk duhet të mbështeten për qëllime të shqyrtimit të paraburgimit.

‘‘Kolegji i Gjykatës së Apelit e la në fuqi vendimin e Panelit për deklaratat e mëparshme dhe deklaratat janë dhe mbeten në dispozicion të Panelit derisa dhe nëse nuk vendoset ndryshe’’, thuhet më tej.

Rrjedhimisht, Paneli ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që i akuzuarit të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së.

‘‘Paneli rikujton se, përderisa ekzistenca e rrezikut të pengimit nuk përkthehet automatikisht në rrezik të kryerjes së krimeve të mëtejshme, faktorët që mbështesin të parën janë të rëndësishëm për vlerësimin e këtij të fundit në rastin aktual’’, thuhet në vendim.

Sipas kësaj gjykate, i akuzuari tani ka njohuri të plotë për rastin kundër tij, duke përfshirë identitetin e dëshmitarëve të PSP-së, pasi masat mbrojtëse janë hequr ndaj të akuzuari, deri në vitin 2016 dhe 2019, i akuzuari bëri deklarata kërcënuese [REDAKTUAR] dhe paraqitja e provave nga ZPS është në proces.

‘‘Përveç kësaj, Paneli thekson se dëshmitë e gjashtë dëshmitarëve të parë tani janë përfunduar dhe dëshmia e dëshmitarit të shtatë është në vazhdim e sipër. Prandaj z. Shala ka marrë më tej një pasqyrë specifike për rastin dhe prova kundër tij’’, thuhet më tutje në vendim.

Andaj, Paneli ka konkluduar se, për qëllimet e rishikimit periodik të paraburgimit të të akuzuarit, në pajtim me nenin 41(10) të Ligjit dhe rregullin 57(2) të Rregullores, koha që i akuzuari ka kaluar në paraburgim nuk është joproporcionale.

Go to TOP