SPAK-u thërret Berishën t’i komunikojë akuzën për dosjen `Partizani`

Një muaj para mbarimit zyrtar të afatit hetimor, Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka thirrur ish-kryeministrin Sali Berisha për t’i komunikuar akuzën mbi dosjen e ish-kompleksit sportiv `Partizani`

Jo zyrtarisht mësohet se Berisha është njoftuar të paraqitet ditën e mërkurë në mesditë në Prokurorinë e Posaçme.

Po ashtu edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi i përfshirë në hetimet e kësaj dosjeje do të paraqitet në orën 2 për t’ju komunikuar akuza.

Prej muajit dhjetor të 2023-it Sali Berisha po qëndron me masën e “arrestit në shtëpi” pas refuzimit të herëpashershëm për të respektuar masën e sigurisë së detyrimit për t’u paraqitur.

Ish-kryeministri është nën hetim dhe deri më tani asnjë akuzë nuk është ngritur për të, ndërkohë që SPAK ka dyshime se ai përdori pozicionin e kryeministrit për të favorizuar familjarët e dhëndrit të tij për përfitimin e pronës në ish-kompleksin sportiv “Partizani”.

Berisha është thirrur vetëm një herë në SPAK përballë prokurorëve për t’u pyetur për dosjen, ndërkohë që në këtë periudhë të gjitha ankimimet e tij për ndryshim të masës së sigurisë i janë refuzuar.

Go to TOP