Sindikalistët: Dy punëtore të QKMF-së në Drenas largohen pas 25 vitesh pune pa asnjë arsyetim konkret

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas, ku sipas tyre janë larguar padrejtësisht nga puna dy punëtore pas 25 vitesh shërbim.

Punëtoret e larguara, Mihrije Hyseni dhe Elfete Bytyqi, kishin punuar për dekada në mirëmbajtjen dhe pastrimin e materialeve dhe çarçafëve të shtretërve të pacientëve në QKMF. Sindikata bën të ditur se pozicionet e tyre kanë qenë nën menaxhimin direkt të QKMF-së, por tashmë u është kërkuar që të punojnë përmes një kompanie private, e cila nuk ka kontratë për menaxhimin e lavanderisë.

“Sipas bindjes sonë, dikush nga brenda QKMF-së për qëllime të përfitimeve të veta personale e ka bërë këtë veprim të paarsyeshëm. Pas 25 vitesh, dy punëtoreve iu imponua të mbesin në rrugë”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat ka zhvilluar biseda për këtë rast me zëvendësdrejtorin e QKMF-së, drejtoreshën e Shëndetësisë në komunë, pronarin e kompanisë private dhe edhe me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrofci.

“Përfundimisht këtij veprimi i vjen era korrupsion i pastër, për të cilin që nga kjo javë do të fillojmë procedurat ligjore”, theksohet më tej.

Sindikata ka bërë të ditur se do të dorëzojë informacione shtesë për rastin tek institucionet përkatëse duke e cilësuar largimin e punëtoreve si padrejtësi dhe shkelje të të drejtave të tyre pas një përvoje shumëvjeçare pune. /Kosova.info/


Go to TOP