Si e rrëzuan “rrjetet sociale” Kryeministrin në matematikë
“X-i pesë, pesëshe pra”, tha Albin Kurti dhe e la shkumësin poshtë dërrasës në një shkollë të përuruar dje në Podujevë, pasi e shkroi shpejt dhe gabim rezultatin e një ekuacioni të thjeshtë matematikor. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i qytetit, Shpejtim Bulliqi duartrokitën pa e kuptuar huqjen, ashtu sikur edhe mbështetësit e kryeministrit në rrjetet sociale. Shefi i Qeverisë iu kërkoi falje nxënësve duke e korrigjuar veten më vonë, por iu dha përdoruesve të rrjeteve sociale një arsye të mirë për t’u tallur.
-(3x) – (-5) = (-5x) – (-2) +3. Zgjidhja e këtij ekuacioni kryeministrit Albin Kurti i doli kështu: X = 0. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi duartrokitën fort kur ai e la shkumësin poshtë dërrasës së klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri” në fshatin Obranqë, të cilën e përuruan të mërkurën.
“Kryeministri Kurti tregon aftësitë e tij edhe në matematikë”. Me këtë përshkrim qarkulloi në Facebook një video ku shefi i Qeverisë shihej duke i dhënë rezultat të gabuar ekuacionin të lënë në gjysmë të zgjidhjes. “X-i pesë, pesëshe pra”, thotë në fund, duke iu drejtuar nxënësve, ndonëse nuk e kishte përcaktuar saktë se cila vlerë e ndryshores e bën barazimin.
Fotografinë e Kurtit me detyrën me rezultat të gabuar e publikoi edhe faqja e Komunës së Podujevës në Facebook.
Siguria e kryeministrit se e zgjidhi saktë detyrën, i entuziazmoi edhe shumë mbështetës të tij që e panë videon. “Njeri i mequm Na ka Beku Zoti”, shkroi njëri. “Gjigant bre tjert kishin met qaty drras tzez ishin hup”, shkroi një tjetër.
Më pak ishin ata komentues që evidentuan gabimin. “Gabim kryeministër”, saktësoi njëri.
Kur kjo video u përhap shpejt në rrjetet sociale, reagimet për gabimin e Kurtit u shpeshtuan.
Kurti doli me një postim në Facebook për ta korrigjuar veten: “Kërkimfalje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri””.
Tha se po të mendonte pak do ta shihte gabimin.
“Të dashur nxënës, Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0. Ju përshëndes e ju dua fort, Albini”, shkroi Kurti.
Detyrën e zgjidhur si duhet e publikoi në Facebook nënkryetarja e LDK-së Hykmete Bajrami. “Kështu i keni të llogaritura shifrat edhe në ekonomi”, shkroi ajo.
Me këtë ironizoi pak në Facebook edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
“Ekuacioni është matematikë. Matematika është numër. E numri bëhet ekuacion që bëhet matematikë. Me respekt Digitroni ynë, Albin Kurti”, shkroi ai.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, përmes një “detyre” shkroi se si duket sipas tij qeverisja e Albin Kurtit matematiskisht.
“Ne në Kuvend e kemi pa që për 48 muaj, kjo qeveri amaterësh, çdo ditë, e ka quar kot. Matematikisht kështu duket qeverisja e tij.
48 – 48 + X x (365 – 365) = 0
0 + X x 0 = 0
0 = 0
Dhe mos të harrojmë, për populizmin e X kemi (- ∞. ∞) A keni nevojë për kalkulator?”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Mbështetësit e kryeministrit e mbrojtën me arsyetimin se edhe ai mund të gabojë.
Deputeti Mefail Bajqinovci në “X” e rikujtoi kërkim faljen e Kurtit, ndërsa në rrjetet sociale u bënë shumë tallje.
“Detyra ka gabu najsen jo Kurti”, ishte një koment.


