Shoqata e Gurthyesve dhe LBK përshëndesin vendimin e MMPHI-së për shfuqizimin e kufizimeve

Shoqata e Gurthyesve të Kosovës, që vepron në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), ka mirëpritur me vlerësim të lartë vendimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për shfuqizimin e vendimit të mëparshëm Nr. 3143-5/21, i cili kishte shkaktuar pasoja serioze për sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit në vend.

Ky vendim, sipas Shoqatës dhe LBK-së, përbën një hap të madh drejt normalizimit të kushteve të punës për operatorët vendorë dhe një fitore të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, pas më shumë se dy vitesh kufizimesh të padrejta që: penguan veprimtarinë e kompanive të licencuara, shtynë shumë ndërmarrje drejt falimentimit, dëmtuan industrinë ndërtimore dhe nxjerrëse, dhe rritën importet nga Serbia duke dobësuar prodhuesit vendas.

Ky zhvillim vjen si rezultat i angazhimit të pandërprerë të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës dhe Shoqatës së Gurthyesve, të cilat kanë kërkuar me këmbëngulje krijimin e kushteve të barabarta për bizneset vendore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë minerare.

Në ditët ne vijim, Gëzon Berisha- Koordinatori i Shoqatës së Gurthyesve të Kosovës dhe LBK kanë paralajmëruar takime me Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) dhe me Agjencionin e Pylltarisë së Kosovës, me qëllim adresimin e pengesave të mbetura që vazhdojnë të vështirësojnë të bërit biznes në këtë sektor strategjik për ekonominë e vendit.

Përmes bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit, KPMM-në dhe Agjencionin e Pylltarisë, këto organizata do të vazhdojnë të punojnë për heqjen e barrierave të mbetura, lehtësimin e procedurave administrative dhe krijimin e një klime më të favorshme për bizneset vendore.

“Sot, ky vendim është një mesazh i qartë se zëri i bizneseve tona dëgjohet kur është i argumentuar, i bashkuar dhe i qëndrueshëm,” thuhet në reagimin e përbashkët të Shoqatës së Gurthyesve të Kosovës dhe Lidhjes së Bizneseve të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP