Shehu: Jasiqi dhe Gjocaj do të bëhen qendra turistike që do të nxisin zhvillimin e Junikut
Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatrave Jasiq dhe Gjocaj, të cilat i cilësoi si dy eko fshatra me potencial të madh zhvillimor për komunën.
Në fjalën e tij, Shehu theksoi se këto dy fshatra kanë dhënë shumë heronj dhe dëshmorë të kombit duke kontribuar në çdo periudhë të historisë së Kosovës. Megjithatë, ai theksoi se për 12 vite pushtet të kaluar këto zona kanë qenë të harruara dhe të neglizhuara.
“Gjatë mandatit tonë të parë kemi ndërtuar kanalet e ujitjes, muret mbrojtëse, kemi asfaltuar disa rrugë, hapur rrugë fushore, zgjeruar shërbimin e mbeturinave dhe ndërtuar urën që lidh Jasiqin dhe Gjocajn,” tha Shehu.
Ai shtoi se në mandatin e dytë do të vazhdojë me shtrirjen e rrjetit elektrik, asfaltimin e rrugëve dytësore dhe kompletimin e rrjetit të ujit të pijes në bashkëpunim me institucionet kompetente.
“Me punë të ndershme, përkushtim dhe duar të pastra, do të krijojmë kushtet themelore për jetesë dhe do t’i transformojmë Jasiqin e Gjocajn në qendra turistike që do të jenë promotor i zhvillimit për gjithë Junikun,” përfundoi Shehu. /Kosova.info/
